Xhaka e rrezikon vendin për Botëror

Granit Xhaka ka filluar ta ngrohë bankinën te Borussia Monchengladbachu. Mesfushori kosovar nuk u inkuadrua në lojë nga minuta e parë, në duel me Hertha Berlinin gjatë fundjavës që shkoi dhe 21 vjeçari ka mbetur i frustruar me këtë fakt. “Isha në formë. Diçka tjetër nuk mund të them”, është shprehur pas ndeshjes përfaqësuesi zviceran,…

Sport

25/03/2014 09:00

Granit Xhaka ka filluar ta ngrohë bankinën te Borussia Monchengladbachu. Mesfushori kosovar nuk u inkuadrua në lojë nga minuta e parë, në duel me Hertha Berlinin gjatë fundjavës që shkoi dhe 21 vjeçari ka mbetur i frustruar me këtë fakt.

“Isha në formë. Diçka tjetër nuk mund të them”, është shprehur pas ndeshjes përfaqësuesi zviceran, të cilin e inkuadroi në lojë në pjesën e dytë trajneri Lucien Favre.

Për ish futbollistin e Baselit, ky është një problem serioz, ngase futbollisti kosovar synon të luajë në Botërorin ‘Brazil 2014’.

Dhe, për të është e pamundur të luajë nga minuta e parë në evenimentin që do të mbahet gjatë verës, nëse nuk ka vazhdimësi tek Gladbachu.

Për dallim nga sezoni debutues në Bundesligë, ku kryesisht ishte rezervist, prishtinasi ishte protagonist i ekipit gjerman në pjesën e parë të këtij sezoni.

Por, ai në ndeshjet e fundit përfundoi në bankinë, duke filluar nga ndeshja me Augsburgun, ku kishte kartona.

Derisa Christoph Kramer po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, javët e ardhshme për Xhakën do të jenë edhe më të vështira.

Selektori Ottmar Hitzfeld po e vëzhgon me kujdes situatën dhe ai nuk mund t’ia garantojë një vend titullari Xhakës në Botëror tek ekipi helvetik, nëse nuk luan në vazhdimësi në Gladbach.