Vetëngulfatja historike

A e kujtuam ne si duhet historinë tonë kombëtare një vit më parë, kur shënuam njëqind vjetorin e krijimit të Shqipërisë, në Vlorën e 28 Nëntorit të vitit 1912?

ShowBiz

21/12/2013 06:00

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (6)

 

Urs Altermatt, autori i librit të shkëlqyeshëm “Etnonacionalizmi në Europë”, paraqet ndryshimin e qasjes ndaj historisë në Perëndim dhe në Lindje, që kishte ndodhur në Shekullin XIX.

Perëndimi ishte lodhur prej historisë, Lindja kishte mungesë të saj.

Perëndimi dëshironte të merrej me të ardhmen, me ekonominë dhe përparimin e të gjitha llojeve, Lindja me të kaluarën, me historinë, dhe atë, siç do të shihet më pas, me një histori të çuditshme, që nuk kishte ndodhur kurrë.

Kombet e mëdha perëndimore kuptuan që nuk mund të ecin tutje po që se vazhdojnë të jenë peng të ngjarjeve të së kaluarës së përgjakshme, tragjike, të rëndë, e cila shfaqej në trajtë të luftërave më të ndryshme për sundim mbi Evropën, në emër të një Zoti, të një krahu të Krishtënizmit, të një kombi.

Në këtë mënyrë, siç thotë saktë Altermatt, perëndimorët e panë që nuk ia vlen më të kujtohet e kaluara, sepse ajo ishte burim i së keqes, paralajmëruese e përplasjeve të reja, madje, të luftërave të reja.

Perëndimi nuk kishte kohë as për histori, as për luftëra. Ishte i zënë. Duhej bërë business, thënë në gjuhën e sotme.

Kështu edhe bëri, deri në theqafjen e madhe të vitit 1914, e cila riktheu Historinë në Evropë.

Ajo, Historia, siç u tha, mori fund në Perëndimin e Evropës, pasi që Lufta e Parë Botërore mori epilogun me kapitullimin e Komunizmit, më 1991.

Në Lindje, ishte ndryshe, prej gjysmës së Shekullit XIX e tutje.

Legjitimiteti për ndryshimet e mëdha politike që ishin duke ndodhur, apo edhe që pritej të vinin në Lindje (dhe thuaja i gjithë Ballkani ende ishte Lindje, sepse sundohej nga Perandoria Osmane), kërkohej në një Histori që nuk kishte ndodhur kurrë.

Pra, kujtoheshin dhe risilleshin në politikën e ditës ngjarjet që ishin fare të ndryshme, në interpretimin e tyre, prej realitetit të mirëfilltë.

Ai Weiwei – Coca Cola Vase (2005)

Pikërisht kjo qasje bëri që e gjithë Lëvizja serbe e Shekullit XIX të ndërtohet mbi Historinë e paqenë të Luftës në Fushë Kosovë (1389), apo, thënë më qartë, mbi Mitin për Kosovën.

Se për çfarë paradoksi bëhet fjalë këtu, do të mund të kuptohej nëse, ta zëmë, Greqia e sotme do ta kërkonte hapësirën territoriale rreth Trojës së dikurshme prej Turqisë, gjithnjë duke u thirrur në veprën letrare të Homerit.

Në rastin tonë, e drejta për të sunduar me vetveten në radhë të parë kërkohej në vjetërsinë e kombit shqiptar, dhe këtu, natyrisht, të vërtetat historike përziheshin me mitet e shumta.

Kjo logjikë, kjo qasje, nuk kishte gjë të përbashkët me rrjedhat politike, shoqërore dhe ekonomike në Perëndim. Aty, askush askënd nuk e pyeste se çka ka bërë para dhjetë, njëqind, një mijë vjetëve, por çka po bën sot, dhe çka e ka ndërmend të bëjë pas një jave, një muaji, dhjetë vjetëve.

Koha, pra, llogaritej ndryshe në Perëndim, e ndryshe në Lindje.

Ballkani kështu u popullua me shumë histori të paqenë, teksa Perëndimi u lirua, të thuash, krejtësisht prej saj.

Pasojat dihen.

Për të gjithë ne është e njohur ajo thënia e George Santayana’s, të cilën e përdorim vend e pa vend. Ata që e harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë, na thotë Santayana.

Por, në rastin e Lindjes, jo vetëm sipas Altermattit, ne kemi telashe të llojit të veçantë, sepse e kaluara që ne e kujtojmë në radhë të parë është një projeksion politik, një pjellë e interesit të sotëm politik të një udhëheqësie apo një elite politike, e jo ajo çfarë në të vërtetë ka ndodhur me një popull.

Prandaj, një popull dhe një njeri, tekembrama, janë në gjendje ta përsërisin shpeshherë të kaluarën tragjike, sepse kurrë si duhet nuk janë marrë me të.

A nuk mund të thuhet një gjë e tillë edhe për ne, për shqiptarët? Pse, a e kujtuam ne si duhet historinë tonë kombëtare një vit më parë, kur shënuam njëqind vjetorin e krijimit të Shqipërisë, në Vlorën e 28 nëntorit të vitit 1912?

Borgesi në një vend pati shkruar që e ka mërzi t’i dëgjojë rrëfimet e pleqve për rininë e tyre, sepse së pari, ata i pranojnë vetëm të mirat që u kanë ndodhur atëherë, dhe së dyti, sepse në ndërkohë, ata realisht kanë harruar se çfarë u ka bërë vaki dhjetëra vjet më parë, dhe ata në fakt risjellin kallëzimet artificiale për jetën e tyre.

Nuk flasin ata për çfarë u ka ndodhur, por për atë çfarë kishin pasur dëshirë t’u kishte ngjarë në rini.

Kjo është pikërisht qasja e jonë karshi historisë sonë kombëtare, dhe kjo veçmas doli në shesh në nëntorin e vitit të kaluar, kudo ku ka shqiptarë.

E vërteta brutale për bërjen e shtetit shqiptar del në shesh në ato telegramet e para që Ismail Qemali i dërgon Botës menjëherë pas ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë.

Në këto telegrame, Ismail Qemali fton Botën e qytetëruar ta njohë shtetin e sapolindur shqiptar, pasi në pyetje është mbijetesa e një populli, pas mbarimit të Perandorisë Osmane, sepse në të kundërtën, shqiptarëve u kanosej shfarosja. Natyrisht, jo prej Osmanëve në largim e sipër, por prej Serbisë.

Shteti i sapokrijuar i Shqipërisë shfaqej si vullnet i shqiptarëve karshi një Perandorie në largim e sipër, dhe një shteti në ekspansion e sipër, që me parimin e Samuel Huntington’it (kështu do të mund të thuhej), synonte t’i zhbënte shqiptarët dhe ta pamundësonte krijimin e çfarëdo shteti shqiptar.

E pra, e gjithë historia e Shqipërisë, që prej lindjes së saj e tutje, s’është gjë tjetër, nëse këtu për pak kohë mundohemi ta zbatojmë parimin e thjeshtësimit (i cili ndodh të jetë edhe i saktë, siç është rasti këtu), por Raportim i vazhdueshëm për konfliktin serbo-shqiptar. Dukuritë e tjera kurrë nuk kanë pasur rol të njëjtë me atë që shprehet përmes këtij konflikti.

Ushtria serbe kishte mbërritur në Durrës pak kohë pasi Ismail Qemali kishte zbarkuar në këtë port, për të vazhduar drejt Vlorës.

Në ditën kur lind Shqipëria, Serbia kishte nën okupimin e saj mbi 60% të të gjithë territorit ku shqiptarët ishin shumicë.

Njëqind vjet më pas, Serbia kontrollon një pjesë të Veriut të Kosovës dhe Luginën e Preshevës.

Po shihet se çfarë ka ndodhur, pra, gjatë këtij Shekulli të kësaj përplasjeje të vazhdueshme.

Asokohe, në nëntorin e vitit 1912, Serbia ishte qindfish më e fuqishme se shqiptarët, kishte gati të gjithë Perëndimin prapa vetes. Shqiptarët kishin mbetur jetimë të Ballkanit, me një Austri prapa vetes. Mjaftoi kjo, megjithatë, për krijimin e një shteti, qoftë edhe gjysmak.

Njëqind vjet më vonë, të gjithë ne e dimë se sa është sahati, kush me kë është, ku kemi mbërritur dhe, çka është më e rëndësishmja, ku mund të arrijmë nëse kemi pak mend, pak më shumë durim, dhe mbi të gjitha, nëse dimë të organizohemi si duhet.

Asnjë komb tjetër në Evropë nuk do t’i ketë dy shtete në Paktin NATO dhe në BE. Ta zëmë.

Ai Weiwei – Dropping a Han Dynasty Urn (1995)

Por, ja që ne, në nëntorin e vitit 2012, u kthyem me mend njëqind vjet prapa, në vend se të shohim se çka mund të ndodhë me ne nja dhjetë vjet para, dhe provuam ta rikthejmë në fuqi një model politik dhe historik që ka perënduar një herë e përgjithmonë, sepse ai model është definuar asokohe karshi Lindjes në zhbërje e sipër (otomane), dhe përballë Veriut (serb) që synonte të na zhbënte neve si komb.

Ia kemi mësyrë Perëndimit, këtë e themi të gjithë ne, qofshim në pushtet a në opozitë, pasanikë a njerëz fare të zakonshëm, dhe modeli i cili tok me fjalëkalimin (passwordin), është lehtë i aplikueshëm ndër ne, bën që dy shtete, Shqipëria dhe Kosova, veç e veç të jenë pjesë e një familjeje të madhe të përbashkët evropiane.

Shqipëria e Madhe dhe Kosova e Madhe nuk janë më kategori gjeografike.

Madhësia e Shqipërisë dhe e Kosovës ka si njësi matëse të veten të bërit këto dy shoqëri, këto dy vende, këto dy shtete, shoqëri, vende, shtete evropiane dhe perëndimore në kuptimin e plotë të fjalës.

Ata që i druajnë kësaj mundësie reale, kapen për mendësinë e moçme, na shesin mend për njëfarë bashkimi kombëtar që s’është gjë tjetër pos mashtrim kombëtar, është një parullë parazgjdhore për të zgjuar disi ato instinktet bazike nacionale, në mungesë të rezultateve të prekshme, të matshme në politikë, në ekonomi, në kulturë.

Po na urren i gjithë Ballkani, po na thonë të tillët, prandaj duhet të bashkohemi në një shtet të vetëm.

Të tillët, para se të gjithash, urrejnë veten dhe popullin e vet, nuk dinë gjë se në ç’kohë jetojnë dhe çka janë shqiptarët sot.

Witold Gombrowitz, kur e kanë pyetur se çka mund të bëhet më shumë për Poloninë dhe polakët, është përgjigjur se diç e tillë do të mund të bëhej duke iu kundërvënë “polonizmit”, apo, duke hequr dorë prej trashëgimisë romaneske, apo prej asaj historie të shpifur, në masë të madhe.

Dihet shumë mirë se çfarë do me thënë sot shqiptarizmi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Sundimi i Ligjit, bre burra (dhe gra), para se të gjithash. Sundimi i Kushtetutës. Sundimi i votës së qytetarëve, si vullnet suprem. Sundimi i vlerave liberale. Sundimi i kulturës dhe qytetërimit perëndimor.

Dikush mund të thotë këtu që si tepër po përdoret fjala sundim. Ndoshta. Por sundimi këtu, në këtë përshkrim, në këtë shpjegim, ka një vlerë që na bashkon të gjithëve dhe i përjashton këta (të tjerët), që duan të sundojnë mbi ne, mbi shoqëritë shqiptare, duke shkelë për të gjitha këto “sundime” të tjera që përfaqësohen prej nesh.

Nuk mund të jesh i lirë, pa ligj. Apo jo.

Historia e kësisojtë pra, që tutje sillet dhe mbështillet këndejpari, në motërzimet më të çuditshme, duhet të largohet prej nesh. Nëse duam të bëhemi njëmend evropianë dhe perëndimorë.

__________________________________

 

Të shtunën tjetër: Në gjuhën e teknologjisë, jemi, si politikë, si shoqëri, me atë formatin analog, të stërvjetëruar. Na duhet një politikë dhe një shoqëri HD për fillim, për të dalë pastaj në 3D.

Pjesa e Parë: Hobbesi si Kosovar

Pjesa e Dytë: Llogaritë e gabuara

Pjesa e Tretë: Çfarë shteti jemi

Pjesa e Katërt: Politika Kot

Pjesa e Pestë: Nuk ka qasje në rrjet

 

Radiohead – Karma Police  (version akustik)