Politika Kot

Nuk ka kund më shumë llafe, fjalë, thashetheme, pallavra të kota, se këtu ndër ne, në Kosovë.

ShowBiz

07/12/2013 06:00

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (4)

 

A je lodhë?

Kështu pyetemi ne në Kosovë, prej mëngjesit të hershëm, sapo të zgjohemi pra prej gjumit, deri në mbrëmjen e vonë, kur gatitemi të flemë.

Kështu e kalojmë ditën.

Një biznesmen turk, i cili kishte marrë pjesë në privatizimin e një ndërmarrjeje shoqërore, ishte habitur tej mase me këtë ves (se ndryshe nuk ke si ta cilësosh) të një shqiptari mesatar të Kosovës, i cili pa nisë ende mirë një punë kërkon ta marrë vesh se kush sa është lodhë.

Në Turqinë e sotme, siç ishte shprehur ai, pyetja e parë dhe e fundit që turqit ia bëjnë njeri-tjetrit është: A pate punë sot? Nëse ke pasur punë, do të thotë që je mirë, sepse ke fituar diçka për vete dhe për familjen tënde. Dhe anasjelltas.

Lodhja si kryepyetja e përditshme e jona, e shoqërisë kosovare, gjithsesi ka evoluar në këto dhjetëra vjetët e fundit.

Ajo ka qenë, në radhë të parë, pasojë e një gjendjeje njëmend të lodhshme të kolektivitetit nacional shqiptar në Kosovë, që prej fillimviteve të tetëdhjeta, kur nisi thyerja e shtetit të përbashkët të RSFJ-së.

Lodhja dhe Pritja kanë qenë dy kategori mbizotëruese politike në Kosovë.

Kemi pasur në gojë ato lutjet e çdoditshme që do të bëhet më mirë, e cila i ka dhënë kuptim Pritjes, por pastaj kemi rënë në dëshpërimin e shkaktuar nga Lodhja.

Varësisht cila prej këtyre dy kategorive mbizotëronte, ndodhnin pastaj zhvillimet në Kosovë.

Kur një familje shqiptare lodhej nga pritja, dhe kur dajaku i Serbisë bënte hi dhe pluhur atë thënien që do të bëhet më mirë, në vitet e nëntëdhjeta, ajo ia mësynte Perëndimit, të gjitha rrugëve të mundshme: Kah ajri dhe toka, kah deti dhe lumenjtë e rrezikshëm.

Skenë nga premiera e “Duke pritur Godonë”, Paris, 1953.

 

Lodhja e madhe e gjysmës së dytë të kësaj decenie, edhe kështu mund të përshkruhen ngjarjet historike të atyre viteve, çoi tek lufta e armatosur kundër Serbisë.

Por, Lodhja dhe Pritja, ky çifti mbizotërues i shoqërisë dhe i politikës kosovare, bënë një pushim fare të vogël menjëherë pas çlirimit, kur dukej që shqiptarët nuk ka kush t’i ndalë. Tekefundit, pas një viti të vetëm pas qershorit të ’99, njeri i gjallë nuk mund të hetonte që këndejpari ka pasur luftë të tmerrshme, që mbi 60 mijë objekte banimi janë shkatërruar me themel, dhe 60 mijë të tjera janë dëmtuar shumë. Gjallëri të tillë nuk ke parë kund në Evropën e atij viti. Një shqiptar i rëndomtë mendonte asokohe, që edhe rruga për në Qiell, këmbë, mund të bëhet prej nesh si komb, tash kur hoqëm qafe Serbinë. E gjithë kjo llogari ‘bankare’ e një optimizmi të pamasë dhe të pashoq nisi të harxhohej me të hyrë në vitin 2001, kur tok me ndryshimet politike në Serbi, u kuptua që duhet të Presim ende. Edhe disa vjet a më shumë, këtë kush nuk e dinte atëbotë. Për t’i dhënë kuptim Pritjes, për ta afruar sadopak kohën kur duhej të zbardhej fati i statusit të Kosovës, u bënë ‘Standardet para Statusit’.

Dhe kështu me radhë. Të tjerat i dini, secili prej jush.

Por, ja që nisëm prapë të Lodhemi. E kur e gjithë një shoqëri Lodhet, nuk ka si ta ruajë maturinë si qasje, as pjekurinë si veprim të vetin. Ndodhi pranvera e vitit 2004.

Dhe kështu me radhë. Të tjerat i dini, secili prej jush.

U bëmë shtet, pra, në shkurtin e vitit 2008. U krye Pritja e gjatë historike, që nisi atje në vjeshtën e vitit 1912, kur gjysma e Shqipërisë u bë shteti shqiptar.

Sërish u mendua që i dhamë fund Epokës së Lodhjes dhe të Pritjes. Që tash e tutje, do të jetë më ndryshe, shumë më ndryshe, sepse tekembrama, kurrë nuk kishim pasur Shtet që mund ta quanim Atdhe. Kurrë nuk kishim pasur mundësi që vetë të merremi me jetën tonë, me fatin tonë.

Por, as kësaj radhe, nuk na zgjati shumë. U bëmë lëmsh kudo që ecëm a shkelëm: Në politikë, në ekonomi, në jetën e rëndomtë. U bëmë përrallë, çkado që folëm: në TV, në gazetë, në ndeja private, në kafene. U bëmë horë, sa herë bëmë zgjedhje, sa herë që kinse krijuam institucione të qeverisë lokale a qendrore.

Dhe kështu me radhë. Të tjerat i dini, secili prej jush.

Mbërritëm, pra, secili veç e veç, dikush më herët e dikush më vonë, dhe të gjithë së bashku, tek një stad i ri i Lodhjes si dukuri kolektive dhe mbizotëruese (e fuqiplotë), të paparë dhe të pashoqe në të kaluarën, sepse për herë të parë, realisht, ne vetë kemi autorë të saj, me pak ndihmë prej të tjerëve, para së gjithash prej EU-pianëve, të cilët e kanë Pushimin koncept themelor politik.

Më parë e dinim kah dhe çka, kur dhe si, e kishim disi të qartë në kokë cila është Strategjia Dalëse prej rraskapitjes sfilitëse dhe shteruese.

Tash, nuk dimë gjë. Kështu së paku duket në shikim të parë. Mbase, edhe të fundit.

Prandaj, e zëmë fillimin e ditës duke e pyetur njeri-tjetrin. A je lodhë? Prandaj, e shpallim fundin e saj me po të njëjtën pyetje.

I rrejmë të tjerët kur themi që jemi mirë. Që jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë në pesë vjetët e kaluara të frymimit të shtetit të Kosovës, të cilit ia kemi ngrënë një mushkëri në ndërkohë. Që mezi po presim të bëhemi evropianë me ‘letra’, duke marrë, për fillim, të drejtën për të udhëtuar kudo pa ato vizat e mallkuara, edhe pse e dimë që shumë prej atyre që do të marrin udhë për andej, do të preferonin biletën njëkahëshe me një kthim pas dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetësh, apo, thënë troç – kurrë. Që e dimë fund e krye çka jemi, cili është identiteti ynë, edhe pse për një çmim fare të lirë, jemi në gjendje të bëjmë tregti të kësisojt: ta jap unë ty traditën qindravjeçare, ta jap unë ty emrin dhe mbiemrin, trashëgiminë e babës dhe të gjyshit, për një rrogë të mirë disamujore.

Jemi lodhë, de. Është shumë e vërtetë që kjo është gjendja jonë si shoqëri, në këtë vjeshtën e vitit 2013. E nuk ka kund më shumë të papunë se te ne. E nuk ka kund në rajon më dembeli se sa në Kosovë. E nuk ka kund në Europë më shumë punë të mbrapshtë në ekonomi, se sa këtu tek ne. E nuk ka kund më shumë llafe, fjalë, thashetheme, pallavra të kota, se këtu ndër ne.

Dhe kështu me radhë. Po. Të tjerat i dini, secili prej jush. Gjithsesi.

A u lodhët duke lexuar veten këtu?

_________________________

Të shtunën tjetër: Si shqiptarë kemi probleme të mëdha në qasjen tonë në Rrjetin e bashkëkohësisë Perëndimore, tashmë kur Botën e kemi në shuplakën e dorës, 24 orë në ditë.

Pjesa e Parë: Hobbesi si Kosovar

Pjesa e Dytë: Llogaritë e gabuara

Pjesa e Tretë: Çfarë shteti jemi

 

Tanita Tikaram – Twist In My Sobriety