Çfarë shteti jemi

Marrja me vetveten është punë tejet e rëndë. As njeriu si individ, dhe as populli, nuk ka fort dëshirë me pa se çka është në të vërtetë. Cilat janë të metat. Çka nuk është në rregull.

ShowBiz

30/11/2013 08:20

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (3)

 

Me 10 shtator të vitit të kaluar (2012), Kuvendi i Kosovës i dha fund Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, e cila ishte formula kyçe e Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari (mars, 2007). Pa Ahtisaarin dhe Procesin e Vjenës, siç dihet, nuk do të mbërrihej dot te 17 shkurti i vitit 2008: Te shpallja e shtetit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës i dha fund diçkaje që as kishte filluar ndonjëherë në Kosovë. Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe Pieter Feith, që i printe asaj, të thuash asnjëherë nuk ishin përzier në punët e veta. Qasja e ICO-së ishte fare e thjeshtë: Dorëzimi i plotë, i pakusht, i panegociuar fare, para sprovave që kryekëput lidheshin me të.

Kështu ishte me Veriun e Kosovës (që prej shkurtit të vitit 2008 e këtej), kështu ishte me dëmtimin e rëndë të demokracisë në Kosovë (në dhjetorin e vitit 2010), kështu ishte edhe me lojën që u bë me orarin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare (në janarin e vitit 2009).

ICO ishte maja e Ajsbergut e paaftësisë kronike të BE-së për t’u dalë mbanë detyrave të veta rreth Kosovës, të cilat i kishte marrë, gati solemnisht, në mbledhjen e fundvitit 2007 të Presidentëve dhe Kryeministrave të shteteve anëtare të BE-së.

Kosova aty u shpall si Prioritet Nr. 1 i BE-së, tok me zbatimin e Pakos së Ahtisaarit.

Këto detyra u pranuan njëzëri në Bruksel, në dhjetorin e vitit 2007. Sidoqoftë, me 10 shtator u festua përfundimi i një procesi ndërkombëtar që kurrë nuk kishte funksionuar si duhet. Por kryesorja, me festu, festuam si rëndom, në rrëmujë të plotë, dhe po ashtu, morëm një të njëjtën porosi prej të gjithë miqve që erdhën ato ditë në Kosovë: Tash e tutje, ju do të jeni Zot të vetvetes, thuaja në të gjitha çështjet.

Mirë shumë.

Ja çfarë ndodhi në dy takimet e nivelit më të lartë ku isha i pranishëm edhe unë, pak kohë pasi që harruam se çka në të vërtet ndodhi me 10 shtator.

Takimi i Parë: Me Ambasadorët e shteteve të Quint-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë). Tema e takimit: Reforma e sistemit zgjedhor. Pjesëmarrësit: Liderët e të gjitha partive dhe grupeve parlamentare.

Qasja krejtësisht mbizotëruese gjatë këtij takimi ishte po ajo që ka qenë në fuqi edhe më parë.

Së pari shprehej një gatishmëri krejtësisht e përgjithësuar për ta bërë reformën. (Sepse ndryshe nuk bën).

Së dyti, ofroheshin një mori variantesh për sistemin zgjedhor, për zonat zgjedhore, të cilat vërtetonin rrëmujën e vazhdueshme vendimmarrëse në politikën kosovare.

Së treti, adresimi i problemeve bëhej në drejtim të Ambasadorëve të Quint-it, e jo duke bërë debat me njëri-tjetrin se çka duhet bërë që të ndodhë reforma zgjedhore.

Së katërti, Ambasadorët, realisht, shiheshin si një Panel i Gjykatës Supreme, i cili tash duhet të marrë një vendim bazuar në propozimet që qarkulluan pa kokë dhe pa bisht atë ditë.

Së pesti, në atë rast pra, nëse Ambasadorët do ta merrnin një vendim aty për aty (gjë që do të ishte më së miri), do të ishte lehtë t’u thuhej zyrtarëve të tjerë të partisë: Ne nuk e deshëm këtë sistem zgjedhor, por kështu na thanë Amerikanët dhe Europianët!

Pse të marrim përgjegjësi për punët tona? Tekembrama.

Por, ja që pikërisht ky ishte qëndrimi i Pesëshes së Madhe të ‘Gjykatës Supreme’. Ky është problem juaji, vetë e keni krijuar, gjeni mënyrë dhe zgjidhni si duhet. Përndryshe, kohë nuk keni, nëse doni t’i mbani zgjedhjet e përgjithshme sa më parë.

Takimi i Dytë: Me Ambasadoren e SHBA-së. Tema e takimit: Dialogu i Prishtinës me Beogradin, pasojat e këtij dialogu në zhvillimet politike në vend, mënyra se si këto bisedime do të reflektohen në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Europian. Pjesëmarrësit: Gati po të njejtit e Takimit të Parë.

Qasja plotësisht dominuese në këtë Takim ishte: Ankesa.

Ankesat vinin pareshtur në drejtim të Ambasadores së SHBA-së për të gjitha çështjet e mundshme: prej mënyrës se si funksionon një komunë, tenderët dhe procedurat e prokurimit më nivelin lokal dhe atë qendror, deri tek gjendja e ekonomisë, tregtia me shtetet fqinje dhe pak më gjerë, dhe raporti politik i Brukselit dhe Prishtinës.

Tash Ambasadorja e SHBA-së shihej si Shkalla e Dytë, finale, e Gjykatës Supreme, e cila merr vendimet përfundimtare për një çështje.

Përgjigjja ishte e ftohtë: Ndihma amerikane nuk do të mungojë kurrë, veçmas në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe në qëndrueshmërinë afatgjatë ndërkombëtare të Kosovës. Megjithatë, ju duhet vetë t’i zgjidhni problemet tuaja.

Jeni shtet. Kështu u tha. Me të drejtë.

Jemi shtet. Po, kjo është e vërteta.

A thua e kemi kuptuar këtë gjë, pesë vjet të plota pasi që arritëm në cakun e 17 shkurtit?

Banksy – Follow Your Dreams, 2010.

 

Pavarësia a Mëvetësia, midis tjerash, nënkupton që të merremi me vetveten, me atë çfarë jemi, ku jemi të suksesshëm dhe ku gabojmë në politikën tonë, çka duhet bërë tash e tutje që të mbërrimë në atë cakun final: Kur flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë në New York (OKB), në Vjenë (OSBE), në Bruksel  (Pakti NATO dhe BE).

Deri në vitin 2008, e pastaj, dikush mund të shtojë edhe deri në shtatorin e vitit të shkuar, nuk kemi pasur mundësi të merremi me veten, sepse nuk kemi qenë vendimmarrës në kuptimin e plotë të fjalës.

Pastaj, njeriu i robëruar, populli i robëruar, çfarë kemi qenë deri në qershorin e vitit 1998, nuk ka si të preokupohet me veten, me identitetin e tij politik, nëse nuk është i lirë. Tek kur të çlirohet, ai nis të marrë vesh se çka është tani, kur më nuk e ka sunduesin mbi vete.

Por, marrja me vetveten, është punë tejet e rëndë. As njeriu si individ, dhe as populli, nuk ka fort dëshirë me pa se çka është në të vërtetë. Cilat janë të metat. Çka nuk është në rregull. Ishte tmerrësisht rëndë në kohën e okupimit dhe të luftës, por ishte lehtë të kesh ndërgjegje të pastër dhe qasje të duhur politike.

Tash është ndryshe.

Nuk e kemi më Serbinë këndejpari (përjashto Veriun e Kosovës që është temë në vete, gjithsesi), që me shkop dhe të gjitha mjetet tjera të dhunës të na mësojë se sa duhet dashur lirinë dhe vetveten, si shqiptarë.

Ama nuk e kemi më as qasjen perëndimore që për ne të marrin vendimet e mëdha politike, që përgjegjësia, thuaja e tëra, të jetë me ta, ndërsa përfitimet, thuaja të gjithat, të jenë tonat.

Fatin e kemi në duart tona. Kështu nuk jemi mësuar dot. Së paku jo deri sot.

Nuk duam ta dimë, prandaj, që një Qeveri ideale në një shtet demokratik, goxha i përngjet një gomari. Po, pra: Punon shumë, duron shumë, ha pak, nuk ankohet. I tillë është gomari, kështu është edhe Qeveria e mirë. Edhe pse më në fund, thuaja të gjithë e tallin. Gomarin.

E mira e një Qeverie të suksesshme, rëndom kuptohet vonë, pasi që ajo ka ikur dhe është zëvendësuar me një tjetër Qeveri, që ka lënë prapa modelin e gomarit. Dhe që tallet vetë me qytetarët e një vendi. E bën madje monopol këtë punë.

——————————————

Të shtunën tjetër: Nuk ka kund më shumë llafe, fjalë, thashetheme, pallavra të kota, se këtu ndër ne, në Kosovë.

Pjesa e Parë: Hobbesi si Kosovar

Pjesa e Dytë: Llogaritë e gabuara

 

U2 – Acrobat  (Achtung Baby, 1991)