Nuk ka qasje në rrjet

Si shqiptarë kemi probleme të mëdha në qasjen tonë në Rrjetin e bashkëkohësisë Perëndimore, tashmë kur Botën e kemi në shuplakën e dorës, 24 orë në ditë.

ShowBiz

14/12/2013 07:50

Ese Politik: Ballafaqimi me vetveten  (5)

 

Shoqëria që keni kërkuar nuk ka qasje në Rrjet.

Këtu, fjalën Shoqëri lirisht mund ta zëvendësojmë me të tjerat, të këtij lloji: Shteti, Kombi, Demokracia. Nuk kanë qasje në Rrjet. Pra.

Fjala është për te dy shtetet shqiptare, për një të vetmin komb, pak a shumë po të njëjtën demokraci apo edhe shoqëri.

Porosia e përmendur e mos-qasjes në Rrjet është e ditur për të gjithë ne dhe përkon me pamundësinë e të komunikuarit me telefonin celular.

A do të thotë kjo që njëmend ne si shoqëri, si komb e si shtete, si demokraci, bashkërisht (pra), si shqiptarë, kemi probleme të mëdha në qasjen tonë në Rrjetin e bashkëkohësisë Perëndimore, tashmë kur Botën e kemi në shuplakën e dorës, 24 orë në ditë?

Pikërisht.

Ne kemi probleme të mëdha në këtë komunikim, qe besa, edhe Perëndimi nuk është pa to kur flet me ne.

Ne i dëgjojmë, por nuk marrim vesh. Ne i shohim, por nuk kuptojmë. Ne nuk e njohim Perëndimin ashtu si është, po ashtu si na duket neve.

Kështu disi qëndron puna.

Në romanin e tij “Veronika vendos të vdesë”, Paolo Coelho rrëfen për një magjistar që ia kishte mësyer ta bëjë lëmsh një Mbretëri. Ai hedh një bar/helm në puset e ujit me të cilët furnizoheshin të gjithë banorët e kësaj Mbretërie, dhe të gjithë humbim mendtë, apo çmenden.

Mbreti dhe Mbretëresha, tek puset e të cilëve magjistari i mbrapshtë nuk kishte si të mbërrijë, humbin lidhjen me qytetarët e tyre, sepse më ata nuk i dëgjojnë, nuk i marrin vesh, nuk i respektojnë.

Mbreti dhe Mbretëresha kishin mend, po nuk u vyenin gjë. Mbretëria u marros.

Atyre u mbetën dy rrugë: Ose të humbin Mbretërinë, të largoheshin diku, ose të bëhen edhe si gjithë të tjerët, duke pirë ujë prej puseve të mallkuara.

E bënë të dytën. Dhe pastaj, merreshin vesh shumë mirë me qytetarët e tjerë. Të gjithë u bënë të barabartë. Në çmendi.

Kallëzim i rëndë për t’u lidhur me ne. Apo jo?

Por, pak muaj më parë, (në nëntorin e vitit 2012), kur të gjithë ne shënuam një Shekull të ekzistencës së Shqipërisë si shtet, vendosëm që së bashku të ngopemi mirë e mirë ujë të dalldisë pseudo-patriotike, ashtu që të jemi Një dhe të Bashkuar. Pa kurrfarë dallimi.

Do t’i kërcasin dhëmbët shumëkujt këtu kur ta lexojë këtë konkludim. Nuk do të jenë të rralla as sharjet, mallkimet, përbuzjet.

Çfarë janë këto fjalë? A nuk e festuam në mënyrën madhështore njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë? A nuk treguam se sa e duam njeri-tjetrin, sa e çmojmë njeri-tjetrin, dhe sa jemi të dhënë pas kombit dhe pas flamurit?

Po çka nuk patë në këtë kremte të shumëfishtë dhe shumëllojshme gjithëkombëtare. Kishte kalorës që u nisën prej Kosovës si Isa Boletini më 1912-tën, kësaj radhe për të mbërritur me kohë në Vlorë. Kishte kolona këmbësorësh me të njëjtin qëllim. Kishte këngë dhe valle popullore ag e terr. Kishte fjalime të pafundme në të katër anët, 24 orë në ditë. Kishte lapidare të reja për heronjtë e vjetër. Kishte kalime dhe parakalime të të gjitha llojeve. Kishte lexim të historisë çfarë kurrë nuk ka ndodhur. Kishte rrena të gjithfarshme për vetveten, për gjendjen e kombit shqiptar para njëqind vjetëve, dhe për atë ku jemi sot.

Roy Lichtenstein – Hopeless (1963)

 

S’ka fjalë: Është e vërtetë e qëndrueshme që kombi shqiptar kurrë më mirë nuk i ka pasur punët në këtë Ballkan, i cili prej rënies së Komunizmit e këndej, u pagëzua, mbase edhe për shkak të synimeve të njohura të të gjitha shteteve dhe kombeve, si Ballkani Perëndimor.

Po ashtu: Asnjëherë më parë, nuk kemi pasur mundësi si tani të jemi zot të vetvetes, autorë të fatit tonë, i cili njeh inkuadrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe në NATO (në NATO Shqipëria tashmë ka mbërritur), dhe një lloj të bashkimit kombëtar brenda Evropës së bashkuar.

Zatën, shqiptarët, si asnjë komb tjetër në Evropë, i kanë vuajtur pasojat e ndarjes së Evropës dhe ngadhënjimit të Komunizmit.

Dhe shqiptarët, sërish, si asnjë tjetër komb në Evropë, janë përfitues të bashkimit të Evropës dhe të fitores së Perëndimit.

Krejt e kundërta vlen për Serbinë dhe për serbët. Apo jo.

Këtu së paku nuk kemi çka të zihemi.

Por, po ashtu, politika e sotme shqiptare, në te dy anët e kufirit është fund e krye (me përjashtime tepër të rralla) marrëzi gjithëkombëtare e të gjitha llojeve, e cila shfaqet në radhë të parë si përpjekje goxha e suksesshme që ta prishim lidhjen a komunikimin e mirëfilltë me vlerat e qëndrueshme perëndimore, t’i kthehemi vetvetes dhe budallakive tona të cilat pamundësojnë, ta zëmë, të numërojmë votat e qytetarë si duhet. Të cilat pamundësojnë, për shembull, të pranojmë që fitorja dhe humbja në politikë kanë dy fytyrat e të njëjtës monedhë me vlerë të një demokracie të njëmendtë. Të cilat kërkojë privatizimin e interesit shtetëror, plaçkitjet e pronës publike, përfitimin nga arka a buxheti shtetëror. Të cilat, më në fund, shfaqen pastaj me pafytyrësinë e skajshme kur të gjitha të këqijat që ia bëjmë njeri-tjetrit dhe vendeve tona i mbulojmë me flamurin kuq me zi, me himnin kombëtar dhe me zotimin që jemi në gjendje edhe me vdekë (bre) për Atdhe.

E ky Atdheu i sotëm, i viteve 2012, 2013, ka kërkesa shumë më modeste ndaj nesh dhe ndaj politikës në përgjithësi.

Nuk ka më pse të vdiset për të. Vetëm duhet të jetohet. Për Të. Për Atdheun, pra.

E çka do të thotë të jetohet për të, në këtë kohën e sotme?

Të respektohet shteti dhe të respektohet qytetari. As më pak dhe as më shumë, pra.

Qytetari respektohet, në radhë të parë, nëse i pranohet vullneti i tij politik, ashtu si shfaqet me atë votën anonime. Ai vendos për Qeverinë. Kështu duhet të jetë në Shqipëri dhe në Kosovë. Qytetari çmohet nëse ka sundim të ligjit, për të gjithë njësoj. Nëse për të krijohet mirëqenia sociale. Nëse ai ndihet mirë në vendin e vet. Nëse ai njëmend e sheh shtetin e vet si një shtëpi, si një vatër që nuk ndërrohet a zëvendësohet me asgjë, me asnjë tjetër vend në Botë.

Shteti respektohet nëse ai shihet si një vlerë e përhershme e kombit, e cila nuk bën kurrë të jetë një parullë politike parazgjedhore, një tjetër justifikim për mashtrimet e radhës të prijësve politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Shtetit i subordinohet politika. Shteti udhëhiqet me Kushtetutë dhe me Ligj, me Legalitetit pra, dhe me votë e me zgjedhje, me Legjitimitet, pra.

Në Kosovë dhe në Shqipëri, shteti nënshtrohet prej politikanëve. Ata janë pronarë të tij, së paku për atë mandatin që kanë marrë. Mundësisht, përjetësisht.

Shteti merr fund pa ta. Kështu na thonë. E ne e shohim fundin e shtetit, me ta. Kështu mund t’u themi. Pa gabim.

Identiteti ynë kombëtar mori udhën e bërjes së shtetit, pasi që u gjetëm të rrethuar me armiq, në të katër anët e Ballkanit, teksa Perandoria Turke po largohej prej këtyre anëve.

Tani jemi mbushur brenda vetes me armiq, të cilët i prodhojmë me sukses me zgjedhje dhe pa votime. Po mundohemi ta bindim veten dhe gjithë të tjerët që nuk dimë ndryshe. Kot ata përpiqen të na zhbindin. Kështu ka qenë së paku deri më tash.

Të jesh viktimë e historisë nuk do të thotë që je engjëll, shkruan Celine.

Që kemi qenë viktima të mëdha të historisë, këtë e dimë të gjithë. E kemi secili prej nesh të shkruar dhe të përjetuar në trungun familjar.

Që nuk jemi engjëj, këtë e kemi provuar. Më së shumti ndaj njeri-tjetrit.

_________________________

Të shtunën tjetër: A e kujtuam ne si duhet historinë tonë kombëtare një vit më parë kur shënuam njëqind vjetorin e krijimit të Shqipërisë, në Vlorën e 28 nëntorit të vitit 1912?

Pjesa e Parë: Hobbesi si Kosovar

Pjesa e Dytë: Llogaritë e gabuara

Pjesa e Tretë: Çfarë shteti jemi

Pjesa e Katërt: Politika Kot

 

David Bowie – Absolute Beginners (Live At The BBC, 2000)