Unitedi e fiton derbin, ia shtyn festën e titullit Manchester Cityt

Manchester Unitedit i ka takuar përballja dramatike e ‘Etihad Stadium’ kundër Manchester Cityt, skuadër të cilës ia shtyu edhe festën e titullit.

Sport

07/04/2018 20:21

Skuadra e Jose Mourinho ka arritur që me përmbysje nga 2:0 në 2:3, të mposht skuadrën e Manchester Cityt në udhëtim.

Kjo përballje, u veçua me dy pjesë të ndryshme, me Cityn që dominoi të parën, dhe Unitedin që përmbysi gjithçka në pjesën e dytë.

Ishte Manchester City që e dominoi në tërësi pjesën e parë, ku arriti të shënoi edhe dy gola, për epërsinë 2:0.

Kompany në minutën e 25’ u gjet mirë në zonën e Unitedit, për ta dërguar në rrjetë topin pas një goditje të fortë me kokë.

Pesë minuta më vonë, City realizoi edhe golin e dytë me anë të Gundogan.

Deri në fund të pjesës së parë, skuadra e Guardiolas kishte mundësi të shënonte sërish, po të tregohej më i vëmendshëm anglezi Sterling, që lëshoi raste të mira shënimi.

Manchester United hyri krejt me një fytyrë tjetër në pjesën e dytë.

Ishte fillimisht i shumëkritikuari Paul Pogba që arriti të realizonte dy herë për tre minuta (53’ dhe 55’), për të barazuar rezultatin.

United vazhdoi me lojë të mirë, dhe në minutën e 69’ përmes Smalling, shënoi për të përmbysur rezultatin në 2:3, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.

Me këtë humbje, City duhet të pres xhirot e ardhshme për të festuar titullin, ndërsa United forcon pozitën e dytë./Lajmi.net/