Tronditet futbolli: Zbulohet plani i skuadrave të mëdha të Evropës për të krijuar një ligë të re

Një iniciativë e përbashkët e skuadrave më të mëdha të Evropës mund t’i jap një goditje të madhe futbollit evropian.

Sport

03/11/2018 09:26

Skuadra më të mëdha të Evropës janë duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të Superligës së Evropës, duke hequr kështu mundësinë e garimit në ligat vendore, e duke i dhënë një ‘goditje’ të rëndë Ligës së Kampionëve, që për vite ka mbledhur klubet elite të kontinentit të vjetër.

Gazeta gjermane ‘Der Spiegel’ ka zbuluar se ekipet e mëdha të Evropës si Real Madrid, Bayern Munich, Barcelona, Manchester City, Chelsea, Juventus, Arsenal, Milan, Manchester United dhe PSG, kanë planifikuar të fillojnë organizimin e kësaj lige, përcjell ‘lajmi.net’.

Mysafirë në këtë ligë me top skuadrat evropiane, janë paraparë të jenë Interi, Marseille, Borussia Dortmundi dhe Roma, ndërsa kësaj liste mund t’i shtohen edhe dy klube nga vendet si Holanda, Rusia, Turqia dhe Portugalia.

Në këtë ligë, themeluesit i referohen vetes si “Partitë”, ndërsa individualisht secila prej tyre do të njihej me nofkën “Partia”. Ndërsa, klubet e tjera do të referohen me emrin mysafir.

Liga planifikohet të zgjatë 34 javë, me ndeshje të martën, të mërkurën edhe të shtunën. Në fund të çdo sezoni, të gjitha klubet do të shkonin në play-offs për t’u shpallur kampioni në këtë mënyrë.

Iniciativa për themelimin e kësaj lige do të sjellë një revolucion në futboll, e cila veç ka filluar të kritikohet dhe të mos pranohet nga tifozët./Lajmi.net/