Tesla Model X: Automobili inovator do të dalë në rrugë në shtator

Kompania Tesla ka konfirmuar se produkti i saj, Model X do të lançohet në muajin Shtator. Dërgesat drejt blerësve të parë do të fillojë gjatë tremujorit të katërt por ato priten të jenë të limituara.

Auto & Tek

06/08/2015 15:03

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, shkroi në një letër se për momentin kompania është duke u marrë me detajet e fundit të prodhimit, fazat e testimit dhe marrëveshjet me furnizuesit.

Model X është duke u ndërtuar në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtin vend që u ndërtua dhe Model S, në Fremont të Kalifornisë. Të dyja automjetet kanë një linjë të njëjtë prodhimi, aktualisht është duke u prodhuar në fabrikë dhe Model S.

Fillimisht qëllimi i Tesla ishte të niste me dërgesat e para të Model X në fund të vitit 2014 por vonesat në prodhim nuk e bënë të mundur këtë gjë. Sipas Musk, mendohet se në muajin Shtator gjithçka do të jetë gati. Ndërkohë kompania Tesla është duke u përballur me sfida të mëdha. Marrëveshja me një furnizues të vetëm mund të ulë prodhimin e Model X me 800 njësi çdo tremujor. Elon Musk është shprehur se Model X është një nga makinat më të vështira në botë për tu ndërtuar, megjithatë ai shprehet optimist se Model X do të mbërrijë në kohë në treg. /PC World Albanian/