Të ardhurat nga Liga e Kombeve, ja sa i fiton Kosova

UEFA ka shpallur bonuset financiare për 55 kombëtaret evropiane të Ligës së Kombeve, formatit më të ri që po eksperimenton prej këtij sezoni.

Sport

25/03/2018 17:39

Në total, kombëtaret do të përfitojnë 76.25 milionë euro dhe kampionia e parë do të fitojë 7.5 milionë euro. Liga e Kombeve është kompeticion që do të zëvendësojë shumicën e miqësoreve ndërkombëtare dhe u krijua pas kërkesës së kombëtareve të mëdha për të ofruar ndeshje më kompetitive mes tyre, por rritjes edhe të përfitimeve financiare.

55 kombëtaret e UEFA-s janë ndarë në grupe në 4 kategori të ndryshme: Liga A, Liga B, Liga C dhe Liga D dhe do nisin të ndeshen prej muajit shtator, ndërsa finalet do të luhen në qershor 2019. 12 ekipet kryesore të renditura në Ligën A do të fitojnë secila nga 1.5 milionë euro për pjesëmarrjen.

Fituesit e grupeve do të marrin 1.5 milionë euro të tjera ekstra dhe avancojnë në turneun final, ndërsa fituesi do të përfitojë edhe 4.5 milionë euro të tjera. Liga B do ta shpërblejë çdo skuadër pjesëmarrëse me 1 milion euro, ndërsa ekipet e Ligës C (ku renditet edhe Shqipëria) do të fitojnë 750 mijë euro dhe ato të Ligës D do të arkëtojnë vetëm 500 mijë euro, por të cilat do të dyfishohen nëse do të renditen në vend të parë në grup.

Kosova renditet në grupin 3 të Ligës D se bashku me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën. Fituesit e çdo Lige do të kenë mundësi të kualifikohen drejtpërdrejt në Europianin e vitit 2020.

Skuadrat që renditen në fund të Ligave A, B dhe C, zbresin një divizion më poshtë, ndërsa ato që janë fitueset e divizioneve D, C dhe B, ngjiten përkatësisht në divizionin pararendës.