Kupa e Amerikës 2019, të ftuara Japonia dhe Katari

CONMEBOL bëri të ditur përmes një deklarate se prania e dy komebeve jo latine bëhet për shkak të “interesit të madh të Konfederatës Aziatike të Futbollit për pjesëmarrje në turnetë e CONMEBOL-it.

Sport

05/05/2018 09:06

Lajmi u zyrtarizua mbrëmjen e së premtes nga Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL).

Disa kombëtare kanë qenë të ftuara speciale të këtij kompeticioni që prej vitit 1993, përfshi vet Japoninë që ka luajtur edhe në turneun e vitit 1999 në Paraguaj.

Të ftuarit vijnë zakonisht mes vendeve fqinje të Konfederatës së Amerikës së Veriut e asaj Qendrore si dhe Karaibet (CONCACAF), ndaj dhe risia ka të bëjë me përfshirjen e Katarit, vendit organizator të Kupës së Botës së vitit 2022.

CONMEBOL bëri të ditur përmes një deklarate se prania e dy komebeve jo latine bëhet për shkak të “interesit të madh të Konfederatës Aziatike të Futbollit për pjesëmarrje në turnetë e CONMEBOL-it, por edhe zotimit të qeverisë së futbollit amerikano-latin për të zhvilluar futbollin përtej zonës së saj, në të gjithë botën”, përcjell “Top Channel”.

Kupa e Amerikës, një turne që nisi në vitin 1916, është më i vjetri që zhvillohet në futbollin ndërkombëtar. Organizatori i vitit të ardhshëm, Brazili nuk e ka fituar këtë trofe që prej vitit 2007.