Taarabt dëshiron të largohet nga QPR

Harry Redknapp thotë se Adel Taarabt dëshiron të largohet nga QPR. Mesfushori ofanziv ka ngecur prapa sa u përket përgatitjeve, pasi mendja e tij është diku tjetër.

Sport

15/08/2014 18:19

Adel Taarabt duket se është i vendosur të largohet nga Queens Park Rangers. Këtë të paktën e ka konfirmuar menaxheri i klubit anglez, Harry Redknapp, në një intervistë për Sky Sports.

“Të jem i sinqertë, nuk e di se çka do të bëjë Taarabt, por nuk është në formë. Është një lojtar i mirë kur është në formë”, deklaroi trajneri britanik.

“Mendoj se po mendon të largohet. Për këtë, kemi nevojë për një klub që e paguan shifrën që e ka kërkuar klubi ynë”, shtoi trajneri i ‘The Hoops’.

“I uroj çdo të mirë, është një djalosh i mirë, por ka nevojë të rikthehet në formë, këtu apo në një skuadër tjetër. Ndoshta nuk e ka bërë një stërvitje të plotë në ditë, që kur është kthyer. Ai ka nevojë për disa javë stërvitje fizike, për ta rikthyer formën”, përfundoi Redknapp.

Taarabt e kaloi sezonin e fundit duke u huazuar në Fulham në pjesën e parë dhe Milan në të dytën.