Shkëndija marshon sigurt drejt titullit

Shkëndija e Tetovës i bën një mbyllje perfekte fazës së dytë të kampionatit në Maqedoni që përkon me gjysmën e sezonit.

Sport

03/12/2017 17:45

Në Tetovë kuqezinjtë kaluan pa vështirësi me rezultatin 3-0 Pelisterin për një fitore që ishte e 5-ta radhazi dhe që i afron akoma edhe më shumë me fitimin e titullit të dytë kampion në historinë e klubit.

Për këtë Shkëndija duhet falenderojë një tjetër skuadër shqiptare pikërisht Shkupin që mposhti 2-0 kampionët në fuqi të Vardarit të Shkupit në derbi, me ekipin e Qatip Osmanit që tashmë ka plot 14 pikë më shumë se kryqytetasit të cilët pozicionohen të dytët por duhet theksuar se Vardari ka luajtur dy ndeshje më pak.

Në stadiumin e qytetit të Tetovës, Pelisteri rezistoi për vetëm një pjesë loje, sepse në fraksionin e dytë vendasit shënuan tre herë, fillimisht me të përhershmin Besart Ibraimi, më pas me kapitenin Ferhan Hasani nga pika e bardhë e penalltisë dhe në fund me të riun Zejnullai. Me këtë fitore kuqezinjtë u ngjitën në kuotën e 46 pikëve teksa e mbyllën gjysmën e parë të kampionatit me një ecuri rekord prej 15 fitoresh 1 barazimi dhe 2 humbjesh me një goleavarazh pozitiv 55-18.