Rodgers kërkon respekt ndaj Norwichit

Brendan Rodgers kërkon nga lojtarët e tij të jenë të vëmendshëm në ndeshjet e fundit të sezonit, duke ua përkujtuar atyre dështimin e Manchester Cityt. Trajneri i Liverpoolit kërkon fitore ndaj Norwichit.

Sport

18/04/2014 23:29

Brendan Rodgers i ka paralajmëruar lojtarët e tij për rrezikun që mund të shfaq kundërshtari i radhës, Norwich City, në luftën e Liverpoolit për titull të kampionit në Premierligë.

Trajneri i Reds i ka këshilluar futbollistët që ta japin maksimumin në çdo ndeshje, për ta parandaluar një ‘kiks’ eventual, siç bëri edhe Manchester City ndaj Sunderlandit të mërkurën.

“Ky rezultat është një shenjë edhe për ne, që asgjë nuk është e garamtuar dhe që duhet ta bëjmë punën tonë. Tash jemi favoritë, deri tash jemi përgjigjur mirë”, deklaroi ai.

“Duhet të koncentrohemi dhe të demonstrojmë karakter, siç kemi bërë deri tash. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Norwichin, është i vetmi kërcënim për ne, sepse lufton për të mos rënë nga liga. Pikërisht për këtë, atyre iu nevojiten pikët”, vazhdoi Rodgers.

Liverpooli është i pari në tabelë me 77 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Chelsea, që është i dyti dhe gjashtë më tepër se Manchester City, i cili ka një ndeshje më pak të zhvilluar.