Reali do të mbrohet në Munich

Legjenda e Bayern Munichut, Lothar Matthaus është i bindur se Real Madrid do të mbrohet në Allianz Arena, në ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Sport

29/04/2014 12:23

Legjenda e Bayern Munichut, Lothar Matthaus beson se Real Madrid do të mbrohet në ndeshjen e sotme në Allianz Arena.

Gjiganti madrilen ka epërsi 1:0 ndaj Bayernit pas ndeshjes së parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.

Ekipi i Carlo Ancelottit u tërhoq më mbrapa dhe e ndëshkoi Bayernin në kundërsulm në Santiago Bernabeu, dhe Matthaus pret taktikë të njëjtë nga Los Blancos në Munich.

“Ata do të luajnë njësoj si në ndeshjen e parë. Ancelotti është trajner i cili e ka studiuar Bayernin dhe i njeh trikat e tyre. Pa dyshim se Reali do të luajë në sulm në shtëpi kundër Mallorcas, me gjithë respektin. Por, ata nuk do të bëjnë një gjë të tillë kundër një skuadre si Bayern, që lëviz shumë mirë”, deklaroi Matthaus për AS.

“Bayern nuk shënoi në Bernabeu dhe tani duhet të niset nga disavantazhi. Atyre u duhen së paku dy gola por duhet të jenë të kujdesshëm. Rezultati 1:0 nga ndeshja e parë është i rrezikshëm, por Bayern mund ta përmbys nëse luan në të njëjtin nivel siç luajti pesë javë më parë”, përfundoi ai.