Ramos e ëndërron trofeun e Championsit

Sergio Ramos ëndërron ta fitojë Ligën e Kampionëve, për ta kompletuar karrierën e suksesshme që pati. Mbrojtësi i Real Madridit mendon se ky është viti ideal për ta ngritur lartë këtë trofe.

Sport

28/04/2014 16:06

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos e ka pranuar se në CV-në e tij mungon medalja e Ligës së Kampionëve.

Ylli spanjoll e ka fituar La Ligan, Copa del Rey, Botërorin dhe Evropianin gjatë karrierës, por nuk ka triumfuar ende në turneun më të rëndësishëm të kontinentit për klube.

Sidoqoftë, Reali është në kërkim të finales së parë pas 12 vjetësh, ndërsa do të shkojë të martën në Allianz Arena për ta ruajtur avantazhin prej një goli, të krijuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Bayern Munichut në Santiago Bernabeu.

“Për mua, është ëndërr ta fitoj Ligën e Kampionëve. Jam mjaft me fat që i kam fituar pothuajse të gjithë titujt në nivelin profesional, por më ka mbetur edhe Championsi për ta fituar”, deklaroi fillimisht Ramos për uebfaqen zyrtare të UEFA-s.

“Në asnjë mënyrë, ky nuk ka qenë obsesion apo një dashuri e veçantë, por kur është diçka që të mungon në CV, ta zgjon kureshtjen dhe vëmendjen”.

“Kjo do të thotë shumë. Do të ishte një ëndërr që do të bëhej realitet. Ta ngris lart trofeun më në fund, do të ishte një kënaqësi e veçantë”, përfundoi Ramos.