Prishtina kërkoi fitore në tavolinë (3:0) ndaj Ferizajt, por FFK refuzoi kërkesën

Prishtina ka tentuar të fitojë me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen me Ferizajn, e cila u mbyll 0:0 në fushën e gjelbërt.

Sport

18/09/2018 18:16

Shkak për ankesën e tyre është bërë Mentor Mazrekaj, ish lojtari i Prishtinës, që së fundi kaloi tek Ferizaj.

Sipas Prishtinës, lojtari nuk ka pasur të drejtë të transferohet tek Ferizaj.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e FC Prishtina dhe ndeshja  regjistrohet me rezultatin e arritur në fushë në ndeshjen FC Prishtina – KF Ferizaj (0:0)”, thuhet në vendimin e Komisarit të Garave të FFK-së.

KG ka dhënë edhe arsyetimin. “Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes së javës së 5-të IPKO Superliga ndërmjet FC Prishtina – KF Ferizaj, konstatoi se FC Prishtina ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF Ferizaj, Mentor Mazrekaj me nr licencë 5 dhe nr Id 000615M89 për shkak se i njëjti ka kontratë me FC Prishtinën deri më 31.08.2019, pas administrimit të të gjitha shkresave dhe pretendimeve ankimore të FC Prishtina u konstatua si vijon: Se FC Prishtina ka ushtruar ankesë me 17.09.2018 dhe e protokolluar me nr 339/1 ankesa është e afatshme, e lejuar dhe e parashtruar nga personi i autorizuar”, thuhet në arsyetim.

“Ankesës i bashkëngjitet kontrata e lidhur ndërmjet FC Prishtina Shpk dhe lojtarit Mentor Mazrekaj, por e njëjta kontratë nuk është e vërtetuar në librin amë të kontratave të FFK-së dhe bazuar në dokumentacionin për regjistrimin e lojtarëve konform nenit 11 paragrafi 1, kemi aplikimin e lojtarit profesionist me nr kontrate 986 të datës 16.08.2017, e cila kontratë është e vërtetuar në librin amë të regjistrimeve të kontratave të FFK-së me afat të përfundimit – skadimit 31.08.2018 dhe e cila ka qenë e deponuar edhe në sistemin FIFA Connect dhe lidhur me nenin 11 paragrafi 2/B pika 6 pra kjo kontratë ka vlefshmëri të plotë juridike”, thuhet në arsyetimin e KG-së.

“Në bazë të nenit 59 kontrata profesionale duhet të jetë e nënshkruar nga lojtari, zyrtari i autorizuar i klubit si dhe zyrtari i FFK-së, kurse kontrata e bashkangjitur në ankesën e FC Prishtina nuk është e deponuar në FFK dhe nuk është e paraqitur në FIFA Connect dhe si e tillë nuk është e bazuar në dispozitat e rregullores mbi regjistrimin, statusin dhe transferin e lojtarëve dhe si e tillë ankesa refuzohet  si pabazuar”, njofton FFK.

Mazrekaj luajti ndaj Prishtinës në pjesën e dytë, takim ky i zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri. /Lajmi.net/