Pompa e zjarrfikësve që shpon edhe muret

Si e fikin zjarrin zjarrfikësit, nëse nuk mbërrijnë dot tek ai? Kjo ishte sfida me të cilën u përballën në vitin 2008, kur një avion “B2” u përplas në pistën e bazës amerikane në Guam.

Fun

07/02/2018 09:43

Zjarrfikësit nuk mundën të shpëtonin avionin super të kushtueshëm, sepse uji nuk kalonte dot shtresat e tij dhe zjarri e konsumoi nga brenda.

Humbja e një avioni prej dy miliardë dollarësh i shtyu Forcat Ajrore të kërkojnë një zgjidhje, e kjo erdhi në formën e sistemit “Pyrolance”, një pompë zjarrfikësash që e lëshon ujin me aq shumë presion, sa mund të çajë çelikun, tullat apo muret prej betoni, madje edhe xhamin antiplumb.

Veç presionit të madh të ujit, pompa “Pyrolance” ka edhe një sekret “të zgjuar”. Uji përzihet nga pajisja me grimca të vogla graniti, duke u shndërruar në një sharrë të frikshme të lëngshme, transmeton Top Channel.

Siç e tregojnë edhe pamjet, “Pyrolance” mund të shpojë çdo sipërfaqe dhe, veçse dërgon ujin kudo, më i rëndësishëm është fakti që mban larg rrezikut zjarrfikësit.

Pas Forcave Ajrore amerikane, që e adoptuan sistemin menjëherë, shumë reparte zjarrfikësish në botë kanë bërë të njëjtën gjë. Sipas tyre, sistemi i ri ofron vërtet ujë me fuqi zjarri dhe në këtë zanat nuk mund të kërkosh më shumë.