‘Pitbull’ Medel

Shumë trajnerë dhe njerëz të afërm me klubin e këshilluan Cardiff Cityn të mos rrezikojë me transferimin e mesfushorit Gary Medel. Por, anëtari i Premierligës pagoi 11 milionë funte për angazhimin e tij nga Sevilla. Për një futbollist të ndjekur nga policia, të arrestuar për vozitje nën gjendje të dehur dhe shpeshherë të përjashtuar me…

Sport

21/11/2013 10:21

Shumë trajnerë dhe njerëz të afërm me klubin e këshilluan Cardiff Cityn të mos rrezikojë me transferimin e mesfushorit Gary Medel.

Por, anëtari i Premierligës pagoi 11 milionë funte për angazhimin e tij nga Sevilla. Për një futbollist të ndjekur nga policia, të arrestuar për vozitje nën gjendje të dehur dhe shpeshherë të përjashtuar me kartonë të kuq, besohej se Cardiff bëri një gabim.

Mirëpo, reprezentuesi kilian u ndëshkua vetëm një herë deri më tani dhe është futbollisti më i dalluar.

Saktësia e pasimeve të tij është 91 përqind, e treta më e larta në Premierligë dhe agresioni i tij në ndërhyrje deri më tani nuk ka sjell ndëshkime.  Menaxheri Malky Mackay është shumë i kënaqur me të, kurse Medel thotë se: “Më pëlqen shumë Cardiffi”.

“Jam futbollist me pasion dhe shumë besnik ndaj skuadrave të mija. Kartonët e kuq dhe shumë incidente që kam pasur, janë për shkak të reagimeve dhe jo veprimeve. Nuk janë për ndërhyrje të ashpra. Kam temperament të madh por jam duke i zhvilluar dhe mësuar të adaptohem, të reagoj më pak, sepse e di se duhet. Jam duke u pjekur”, u shpreh ai derisa u zotua se nuk do të ndryshojë qasjen në lojën e tij.

“Nuk do ta ndryshoj agresionin në fushë. Futbolli anglez është i mrekullueshëm. Në Spanjë, merrni frymë dhe ndëshkoheni me karton të verdhë. Këtu është një intensitet më i lartë fizik. Më pëlqen të jem intensiv, adhuroj fitimin e dueleve. Nuk do ta ndryshoj këtë”, theksoi futbollisti që mban nofkën Pitbull.

“Njerëzit mendojnë se Pitbull është qen i keq. Por, nëse mësoni rreth tij, e shihni se mund të jetë agresiv, por është besnik. Ju kafshon atëherë kur duhet të kafshon”.