Në Facebookun e të dyshuarit për terrorizëm të arrestuar në Kosovë, Samet Imishti

Samet Imishti, i arrestuar sot në Han të Elezit si i dyshuar për nxitje të terrorizmit, ka qenë mjaft aktiv në Facebook.

Lajme

01/12/2015 13:01

Ai shpesh ka bërë postime me tone kërcënuese, të cilat i ka lënë madje edhe publike, duke kërcënuar politikanë, parti, media e ambasadorë, shkruan lajmi.net.

Në një postim të bërë në maj të këtij viti, ai kishte përshëndetur miqtë e tij me përshëndetjen islamer “selam alejkum”.

Pasi kishte bërë këtë postim, një nga miqtë e tij në Facebook i kishte komentuar se “do të shpallin terrorist”, duke nënkuptuar faktin se kishte bërë një përshëndetje islame.

Por, kjo nuk e ka shqetësuar fare Sametin.

“Kurrë pa qenë terrorist mos metsha, tjau heki krytë qafirave kështu”, i ishte përgjigjur ai.

Nuk ka munguar as një mesazh ultra-ekstremist ndaj ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson.

Ai madje kishte ilustruar me foto se si duhet t’i hiqet koka asaj.

Kurse, Imishti kishte kritika edhe për flamurin shqiptar.

Në një postim të 28 nëntorit të vitit të kaluar, ai kishte thënë se “28 nëntori është dita e flamurit bizant dhe festohet dita copëtimit të Shqipërisë”, shkroi Imishti, transmeton lajmi.net.

Mes tjerash, Sameti kishte kritika e kërcënime edhe për koalicionin PDK-LDK.

Në një nga postimet, ai kishte paraljmëruar edhe “kapjen e pushkave” nga myslimanët kosovarë, të cilët do të ndiqnin pabesimtarët “deri në Beograd”.

Imishti ka qenë një nga kosovarët e arrestuar sot në një operacion të përbashkët Kosovë-Itali.

Ai është arrestuar në Kosovë, kurse tre të tjerët, ndër ta edhe vëllau i tij Ismaili, janë arrestuar në Itali.

Në profilin e Imshitit në Facebook shihen shumë “check-ins” në Itali, ashtu siç edhe kishte thënë policia italiane, se ai shpesh e kishte vizituar këtë shtet dhe mes tjerash është “koka” e grupit të dyshuar. /lajmi.net