Operacioni i përbashkët anti-terror Kosovë-Itali rezulton me 4 kosovarë të arrestuar

Policia italiane dhe ajo e Kosovës, kanë arrestuar katër persona nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti që përhapte ideologjinë xhihadiste nëpër media sociale.

Lajme

01/12/2015 09:51

Arrestimet pasuan pas bastisjeve në disa qytete italiane siç janë: Brescia, Vicenza, Perugia si dhe në disa vende në Kosovë, raporton Corriere.

Që të katër personat e arrestuar janë qytetarë të Kosovës, dhe dyshohen për “terrorizëm” dhe “nxitje të urrejtjes racore”, mëson lajmi.net.

Sipas policisë, “ekipi terrorist propagandonte ideologjinë e xhihadit përmes rrjeteve sociale”.

“Truri” i grupit besohet se jetonte në Itali para se të arrestohej në Kosovë, ndërsa tre të tjerët janë arrestuar në Itali, ku kishin jetuar prej kohësh.

Italia ka shpeshtuar operacionet anti-terror që nga sulmet e Parisit më 13 nëntor, duke dëbuar kështu katër marokenë të dyshuar për përhapje të ekstremizmit. (lajmi.net)