Nata e madhe e Arsenalit

Arsenali i menaxherit Arsene Wenger sot ka rastin ideal për t’i dhënë fund pritjes së gjatë për trofeun e parë nga viti 2005, në finalen e madhe të FA Cup kundër Hull Cityt në Wembley.

Sport

17/05/2014 10:18

Arsenali nuk ka fituar asnjë trofe nga viti i largët 2005. Por, sonte pritjes së gjatë mund t’i vjen fundi pasi Arsene Wenger do të drejtojë skuadrën e tij në finalen e FA Cup kundër Hull Cityt në Wembley.

Ishte pikërisht trofeu i FA Cup, suksesi i fundit nga gjiganti londinez në vitin 2005, me skuadrën e udhëhequr nga yje të shumtë përfshirë kapitenin Patrick Vieira që ngriti trofeun, por që fatkeqësisht doli të jetë i fundit për Arsenalin nga ajo kohë.

Menaxheri Wenger vazhdimisht është ballafaquar me kritika e madje edhe me thirrje për largim nga detyra, për dështimin e tij të fitojë një titull, mirëpo ai sonte në Wembley – në duelin që do të fillojë në ora 18:00 – e ka mundësinë e artë që t’i hesht ata, dhe të thyejë pritjen e gjatë për një triumf.

Përball tyre do të jetë Hull City, skuadër që në letër nuk paraqet ndonjë rrezik të konsiderueshëm, mirëpo, në një ndeshje finale gjithçka mund të ndodh. Kujdes Arsenal.