Moyes lavdërohet për Januzajn

Tifozë të shumtë të Manchester Unitedit e kanë falënderuar menaxherin e shkarkuar David Moyes për faktin se i besoi yllit kosovar Adnan Januzaj, dhe ndihmoi depërtimin e tij në ekip gjatë këtij sezoni.

Sport

22/04/2014 18:20

David Moyes u shkarkua sot nga posti i menaxherit të Manchester Unitedit.

Strategu skocez e pagoi me largim nga detyra sezonin dëshpërues të gjigantit nga Old Trafford duke u liruar nga posti vetëm dhjetë muaj pas emërimit në detyrë si pasardhës i të madhit Sir Alex Ferguson.

Në mesin e kritikëve më të ashpër të Moyesit që pa dyshim se i janë gëzuar lajmit për largimin e tij, ka edhe të atillë që gjejnë arsye për ta lavdëruar atë, nëse jo për rezultatet në fushë, atëherë për diçka tjetër.

Në mesin e shumë postimeve në rrjetin social Twitter, tifozë të Manchester Unitedit i janë falënderuar Moyesit për besimin e tij ndaj yllit kosovar Adnan Januzaj i cili ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni, në vitin e tij të parë me ekipin senior.

Moyes po ashtu u falënderua për transferimin e Juan Matas nga Chelsea si dhe sigurimit e kontratës së re për Wayne Rooneyn.