Mata forcon Man Utd’in

Manchester United prezantoi përforcimin e ri Juan Mata të transferuar nga Chelsea për 37.1 milionë funte. Mesfushori spanjoll u prit nga menaxheri David Moyes dhe pritet të debutojë në ballafaqimin kundër Cardiffit në Old Trafford të martën, në kuadër të Premierligës. Moyes theu rekordin e transferimit në klub dhe pranoi se spanjolli është vetëm i…

Sport

26/01/2014 09:55

Manchester United prezantoi përforcimin e ri Juan Mata të transferuar nga Chelsea për 37.1 milionë funte.

Mesfushori spanjoll u prit nga menaxheri David Moyes dhe pritet të debutojë në ballafaqimin kundër Cardiffit në Old Trafford të martën, në kuadër të Premierligës.

Moyes theu rekordin e transferimit në klub dhe pranoi se spanjolli është vetëm i pari në mesin e shumë yjeve të tjerë që do t’i bashkohen Unitedit nën drejtimin e tij.

“Juan është një prej plejmejkerëve më të mirë në futbollin e sotëm dhe është kënaqësi e vërtetë që kemi siguruar shërbimet e tij. Ai ka qenë inspirim në suksesin e Chelseat në periudhën e fundit duke realizuar 28 asistime dhe 32 gola në dy edicionet e fundit në Premierligë. Dua të krijoj një ekip të fortë. Për këtë arsye dua që t’ju sjelli diçka tifozëve sepse nuk kam bërë mjaft deri më tani. Dua të them se ky është i pari prej atyre të tjerëve që do të vijnë. Mezi pres që Juan të filloj të luajë me ne”, deklaroi Moyes.

Kurse, Mata, i cili shkroi një letër përshëndetëse për tifozët e Chelseas ku tregoi se periudha e përgatitjeve ia bëri të qartë se nuk do të jetë më i rëndësishëm tek Chelsea me Mourinhon, u shpreh i lumtur me destinacionin e ri.

“Wayne Rooney, Robin van Persie, Adnan Januzaj, Antonio Valencia, Chicharito, Danny Welbeck, të gjithë janë futbollist të nivelit të lartë dhe do të mundohem të jap më të mirën për ekipin. Mendoj se mund të luaj në tri pozita prapa sulmuesve. Nuk ka rëndësi se ku, me rëndësi është të luaj”, deklaroi Mata.