Mancini shpreh keqardhje për mungesën e CR7 në derbin Itali – Portugali

Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, ka shprehur keqardhje për mungesën e Cristiano Ronaldos në vizitën që Portugalia do t’i bëjë Italisë në ‘San Siro’ në Ligën e Kombeve të shtunën në mbrëmje.

Sport

17/11/2018 09:17

Pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk është paraqitur për vendin e tij që nga Kupa e Botës, me trajnerin Fernando Santos dhe Federatën e Futbollit të Portugalisë që i kanë dhënë pushim atij.

Mbetet e paqartë koha se kur ylli i Juventusit do të rikthehet në aksion te Kombëtarja e Portugalisë.

“Cristiano është një nga lojtarët më të mirë në botë”, u ka thënë Mancini gazetarëve para ndeshjes Itali – Portugali, e vlefshme për ‘Grupin 3’ në Ligën A në Ligën e Kombeve, përcjell ‘lajmi.net’.

“Me siguri me të në fushë do të ishte një lojë e ndryshme, sepse ai ka aftësi unike”.

“Unë mendoj se me të në fushë do të ishte edhe më spektakolare. Na vjen shumë keq që ai nuk luan nesër (shtunë)”, ka shtuar trajneri italian./Lajmi.net/