Manchesteri do të luftojë për titull

Wayne Rooney është i bindur se Manchester United do të rikthehet të jetë protagonist në futbollin anglez, duke luftuar për titull të kampionit në Premierligë. Sulmuesi anglez e ka lavdëruar edhe trajnerin Van Gaal.

Sport

27/07/2014 00:53

Pas sezonit dështues, të parin pas epokës Ferguson, Manchester United është duke punuar për t’ia përgatitur menaxherit Luis van Gaal një ekip të fortë, i cili do t’ia mundonte atij dhe skuadrës të kthehet të luftojë për titull.

Objektiv i këtij klubi është të rikthehet si protagonist i madh në futbollin anglez dhe Wayne Rooney është mjaft optimist se kjo mund të ndodh.

“Mund ta fitojmë sigurisht titullin. Sezoni i kaluar ishte dështues, siç e dimë, por jemi optimistë dhe besojmë në faktin se mund ta fitojmë kampionatin”, deklaroi futbollisti anglez.

Ai po ashtu e ëndërron shiritin e kapitenit, pasi Nemanja Vidic u largua nga ekipi. “Natyrisht, do më pëlqente të jem kapiten i skuadrës, por do të jetë Van Gaal ai që do të vendos. Ai dëshiron të punojë me grupin, ta ekzaminojë atë dhe ta marrë vendimin pas disa javësh”, shtoi ai.

“Van Gaal është një trajner fantastik. Ka pushuar vetëm pak ditë dhe menjëherë e ka nisur punën. Është zbavitëse të ushtrosh me të, sepse dëshiron ta sjell një sistem të ri të lojës”, vazhdoi Rooney.

“Në Brazil e kemi parë të gjithë se si luajti Holanda, dëshiron ta përsërisë atë lojë edhe këtu. Është trajner i ndershëm, nëse nuk punon mirë, ta thotë, ndërsa nëse je i mirë, të tregon po ashtu. Ai të vë gjithmonë në një situatë që të ushtrosh më mirë”, përfundoi përfaqësuesi anglez.