Low kundër Dortmundit

Trajneri Jurgen Klopp beson se selektori i Gjermanisë, Joachim Low është duke u treguar i ashpër me futbollistët e Borussia Dortmundit duke i ndëshkuar ata pas gabimeve.

Sport

16/09/2013 08:00

Trajneri i Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp ka akuzuar selektorin e Gjermanisë, Joachim Low për tretman të ashpër ndaj futbollistëve të skuadrës së tij.

Qendërmbrojtësi Mats Hummels mbeti jashtë formacionit bazë për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin botëror 2014 kundër Austrisë dhe Ishujve Faro, duke mos u paraqitur fare në asnjërin duel.

Low në vend të tij zgjodhi Jerome Boatengun e Bayern Munichut dhe Per Mertesackerin e Arsenalit për të dyja ndeshjet. Kurse, njësoj si Hummels ka pësuar edhe Marcel Schmelzer andaj Klopp dyshon se po bëhet fjalë për një agjendë të fshehur.

“Kur përmenden gabime, atëherë nuk është e pamundur që ishte një futbollist i Borussia Dortmundit që e bëri”, deklaroi Klopp.

“Isha pak sa i befasuar çka ndodhi me Schmelzerin dhe e njëjta po ndodh tani me Hummelsin. Këto gjëra duhet të sqarohen. Gabimi mbetet mbi ta edhe sot, edhe pse Hummels nuk ishte i vetmi që gaboi”, përfundoi Klopp.