Liverpooli, një hap larg titullit

Liverpooli e ka bërë një hap gjigant drejt titullit të kampionit në Premierligë. Reds ia dolën ta mposhtin Norwich Cityn me rezultat 3:2, duke u shkëputur në pesë pikë ndaj përcjellësve, tri xhiro pa përfunduar sezoni.

Sport

20/04/2014 15:54

Liverpooli është më afër se kurrë, me titullin e kampionit në Premierligë. Reds ia dolën ta mposhtin Norwich Cityn në udhëtim, në njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.

Ekipi i Brendan Rodgers ka kaluar në avantazh qysh në minutën e katërt, kur shënoi Raheem Sterling një super gol.

Luis Suarez e ka ngritur avantazhin e mysafirëve në minutën e 11-të, ndërsa Gary Hooper e ngushtoi rezultatin në atë të 54-t.

Sterling ka dalë në skenë sërish në minutën e 62-të, duke e shënuar golin e dytë personal, i ndihmuar nga devijimi i topit nga një lojtar kundërshtar.

Robert Snodgrass e ngushtoi rezultatin në minutën e 77-të, por kjo ishte e tëra që mund të bënin vendësit.

Vetëm tri xhiro pa përfunduar sezoni, Liverpooli është i pari në tabelë me 80 pikë, pesë më shumë se ndjekësi kryesor, Chelsea, që dështoi të shtunën ndaj Sunderlandit.