“L’Equipe” zbulon klubin e ri të Zidanes

Zinedine Zidane spekulohet me kalim në Manchester United.

Sport

15/08/2018 11:27

Marrin konfirmim në Francë nëpërmjet rreshtave të gazetës prestigjoze L’Equipe, zërat që qarkulluan në mediat angleze dy javë më parë.

Sipas L’Equipe, Zinedine Zidane trajneri që fitoi 3 herë Championsin në 3 sezone me Realin e Madridit, mund t’u japë fund në kohë rekord pushimeve.

Pas lamtumirës së paparashikuar nga Los Blancos, Zidane është gati për një eksperiencë të re te një tjetër klub shumë i madh në arenën europiane.

Ish kampioni i botës me Francën në 1998-ën mund të marrë drejtimin e Manchester United për të zëvendësuar portugezin Jose Mourinho.

Raportet e Special One me drejtuesit e Djajve të Kuq janë acaruar ndjeshëm pas merkatos jo shumë të kushtueshme që zhvilloi klubi këtë verë dhe për këtë arsye Mourinho mund të shkarkohet nga detyra në ditët e ardhshme edhe pse United e nisi sezonin e ri me këmbën e mbarë pasi mposhti 2-1 Leicester-in në ndeshjen hapëse të Premier Leagues, transmeton “SS”.

Sipas gazetës franceze, kalimi i Zidane te Manchester United po merr gjithnjë e  më shumë formë nga dita në ditë.