Kroacia e zhgënjyer që nuk luajti me Kosovën

Ambasadori kroat në Kosovë, Zoran Vodopija, thotë tha se dëshira e tij ka qenë që Kosova ta zhvillojë miqësoren e parë kundër shtetit të tij. Realizimin e ëndrrës së tij e kanë pamundësuar kushtet të cilat iu imponuan Kosovës kur mori dritën jeshile nga FIFA.

Sport

05/03/2014 13:47

Ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë kanë zënë vendet e tyre në ulëset e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” për ta përcjellë ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare që Kosova e zhvillon kundër Haitit.

Një nga ta është edhe Ambasadori i Kroacisë, Zoran Vodopija, i cili është shprehur i lumtur për faktin që Kosova po i jep fund bllokadës ndërkombëtare në futboll.

Por, në vend të Haitit, Ambasadori kroat thotë se ka dashur ta shohë një ekip tjetër përfaqësues në fushë kundër Kosovës.

Në një deklaratë për RTK, pak para fillimit të ndeshjes, Ambasadori Vodopija tha se dëshira e tij ka qenë që Kosova ta zhvillojë miqësoren e parë kundër shtetit të tij, Kroacisë.

Realizimin e ëndrrës së tij e kanë pamundësuar kushtet të cilat iu imponuan Kosovës kur mori dritën jeshile nga FIFA.

E një nga ato kushte thotë që Kosovës, për një kohë të pacaktuar, i ndalohet të luajë ndeshje miqësore me shtetet e ish- Jugosllavisë.