Kjo është pyetja e gazetarëve serbë që Besnik Hasi refuzojë t’i përgjigjej

Besnik Hasi ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve serbë rreth komenteve të bëra nga ai javën e kaluar, kur tha se vjen nga “Kosova e Shqipërisë”.

Sport

24/07/2017 20:28

Në konferencë për media në Beograd, para takimit që skuadra e Olympiacos zhvillon ndaj Partizanit të Beogradit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Hasi ka deklaruar se në Beograd ka ardhur për të luajtur futboll dhe jo për të folur për politikë.

“Ne kemi ardhur për të folur vetëm për futboll, dhe këto gjëra duhet të zgjidhen nga ata që paguhen për këto gjëra”, ka thënë Hasi, duke mos dashur të përgjigjej në këtë pyetje, pavarësisht insistimit të gazetarëve serbë, transmeton Insajderi.

Gjithashtu, gazetarët ishin të interesuar për marrëdhëniet e Hasit me futbollistët serbë të Olympiacosit, dhe Hasi u përgjigj se ai ka një bashkëpunim normal me të gjithë.

“Unë kam një ekip italianësh, grekësh dhe serbësh, ndoshta kjo ndihmon edukimin tim sepse kam kaluar shumë vende dhe kam hasur kultura dhe gjuhë të ndryshme dhe çdo lojtar i mirë është një lojtar i mirë”, tha trajneri i Olympiacos.

Trajneri shqiptar ka deklaruar se ka një skuadër të mirë përgatitur para ndeshjes me Partizanin.

“Liga e Kampioneve është gara më e bukur për klube dhe ne presim një atmosferë të mirë në stadiumin e Partizanit. Ne kemi probleme me lëndime, por jemi të gatshëm dhe shpresojmë për një rezultat të favorshëm përpara ndeshjes kthyese. Jemi trajnuar për gjashtë javë për këtë ndeshje dhe kemi një ekip të mirë”, ka thënë Hasi.