Ftesë e fortë për Januzajn

Partia e Fortë ka ndërhyrë në debatin e gjerë rreth Adnan Januzajt. Ylli kosovar i Manchester Unitedit është temë e nxehtë dhe kërkohet nga Kombëtare të ndryshme përfshirë Shqipërinë, Anglinë, Belgjikën, Kroacinë e Turqinë – derisa ka të drejtë të luajë edhe për Kosovën – por Partia e Fortë ka një mendim tjetër. Ajo i…

Sport

10/10/2013 14:37

Partia e Fortë ka ndërhyrë në debatin e gjerë rreth Adnan Januzajt. Ylli kosovar i Manchester Unitedit është temë e nxehtë dhe kërkohet nga Kombëtare të ndryshme përfshirë Shqipërinë, Anglinë, Belgjikën, Kroacinë e Turqinë – derisa ka të drejtë të luajë edhe për Kosovën – por Partia e Fortë ka një mendim tjetër.

Ajo i ka bërë thirrje 18-vjeçarit të luajë për Prishtinën, ose ndonjë skuadër tjetër të futbollit nga kryeqyteti.

“Të japim nderin që me ftesë të Kryetarit Lexhendar të bashkohesh në rradhët e klubit futbollistik Prishtina. Në momente të vështira vendimmarrjeje, të cilat kryetari ynë i ka të përditshme, është zemra ajo që duhet ndjekur.

Besojmë fuqishëm, që si edhe tek ne, në zemrën tënde është një tifoz i flakët i KF Prishtinës. Andaj me përulje të ftojmë që ta plotësosh ekipin ikonik të kryeqytetit si zgjidhje më e mirë krahas kombëtareve që të kanë ftuar. Fundja, çka është Shqipëria, Anglia apo Belgjika?

Përveç të parës, dy të tjerat janë vende edhe ashtu në recesion, fati i të cilave mund të ndryshojë dita ditës. Juve Adnan, ju duhet një përfaqësuese stabile. E një vendi stabil. Juve ju duhet, përfaqësuesja e qytetit të Prishtinës.

Natyrisht, nuk është vetëm klubi futbollistik Prishtina që përfaqëson Prishtinën. Nëse Prishtina nuk është në zemrën tuaj mund të zgjedhni edhe ndonjë klub tjetër të kryeqytetit, KF Hajvalinë, KF Besëlidhjen, KF 2 Korrikun apo KF Flamurtarin. Prishtina është djep i futbollit, andaj ka shumë klube (apo përfaqësuese) mes të cilave mund të zgjedhësh pa gabuar.

Kërkesa jonë për bashkangjitje gjithsesi do të ndihmojë Partinë tonë drejt përfitimit të një elektorati tek futbolldashësit dhe tifozët. Kryetari jonë, është dhe ka qenë një tifoz i flakët qysh në ditët e para të rinisë.

Fjala e parë e tij në jetë ka qenë “Forca Prishtina!”, kurse hapat e parë i ka bërë me top në këmbë. Ju garantojmë që në fushën e futbollit do të keni edhe sigurim personal. Në rast të dhunës eventuale (krejt të rrallë) në terrenet sportive, sigurimi do të ndërhyjë shpejtë në mbrojtjen tuaj. Dhe për këtë ke garancinë e kryetarit. E ke fjalën e tij!

Gjithashtu kërkojmë nga ju që sa më parë të aplikoni zyrtarisht për nënkryetarizim pranë Partisë së Fortë. Ju tashmë jeni nënkryetar, na duhet vetëm formalizimi. Ndërkohë që nënkryetarizimi formal ka një afat të përjetshëm, vendimi juaj për të luajtur për Prishtinën nuk duhet të jetë.

Ne ju ftojmë të bashkoheni me ne vetëm deri në ditën e zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve mund të vazhdoni edhe me opsione të tjera”, thuhet në letrën e Partisë së Fortë drejtuar Adnan Januzajt.