FFK me njoftim publik për ndeshjen Kosovë – Azerbajxhan
Kosova ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve e luan kundër Azerbajxhanit.
Sport
Kjo ndeshje do të jetë vendimtare, pasi aty caktohet se cila skuadër do të jetë ajo që do të kaloj në finalet e Ligës së Kombeve.
Interesimi për këtë ndeshje ka qenë jashtëzakonisht i madh, me të gjitha biletat e shitura për më pak se dy ditë.
FFK, në faqen e saj zyrtare ka publikuar një “rregullore” për ata që do të jenë të pranishëm në stadium, përcjell lajmi.net.
Më poshtë mund ta gjeni njoftimin e plotë të FFK-së:
19 nëntor, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinion publik se dyert e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen Kosova – Azerbajxhani, që zhvillohet në kuadër të Ligës së Kombeve, më datë 20 nëntor 2018, ora 20:45, do të hapen në ora 18:00.
Asnjë person, përfshirë edhe fëmijët pavarësisht moshës, nuk do të lejohen të hyjnë në zonën e stadiumit pa biletë.
Në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli prandaj luten të gjithë qytetarët që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat.
Qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore.
Rregullat:
- Dyert e stadiumit hapen ne ora 18:00.
- Luten qytetarët që të vijnë me kohë në stadium, duke filluar nga ora 18:00 për të shmangur tollovinë.
- Nuk shiten bileta në zonën e stadiumit. Qytetarët të cilët nuk kanë bilete luten të mos vijnë në zonën e stadiumit sepse shkaktojnë tollovi. Qytetarët pa biletë do të largohen nga policia.
- Nuk lejohet hyrja pa biletë. Një bilete një person. Asnjë person, pavarësisht moshës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium pa biletë. Kjo vlen edhe për fëmijët.
- Gjërat që nuk lejohen përfshijnë:
– Mjetet piroteknike
– Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë
– Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë
– Pijet alkoolike dhe substancat narkotike
– Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh) si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem, etj.
– Ombrella
– Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë
– Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palodshme, etj) etj.
– Kamera profesionale dhe video kamera
– Pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzele
– Materialet promovuese ose komerciale
– Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar
- Qytetarët njoftohen që, për arsye të sigurisë, nuk lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna. Prandaj, ulja në shkallët e stadiumit është rreptësisht e ndaluar. /Lajmi.net/