E konfirmuar, Feronikeli në bisedime me trajnerin e njohur (FOTO)

Kryetar i klubit të Feronikelit, Ekrem Elshani, ka thënë se me Bylbyl Sokolin kanë arritur marrëveshje parimisht, ndërsa janë në kërkim të sulmuesit Kastriot Rexha.

Sport

07/07/2017 22:56

Feronikeli është përballur me largime të shumta, ndërsa përveq Qemail Elshanit nuk kanë bërë ndonjë përforcim.

“Deri tash e kemi transferuar vetëm Elshanin, kurse jemi në bisedime edhe me disa futbollistë të tjerë. Një nga lojtarët që kemi zhvilluar bisedime është sulmuesi Kastriot Rexha”.

“Të shohim deri në fund të javës tjetër do t’i transferojmë futbollistët që i kemi në plan”, ka thënë Elshani, i cili ka folur edhe për çështjen e shumëpërfolur nëpër medie rreth arritjes së marrëveshjes me Bylbyl Sokolin.

Ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që “Profa” ta udhëheqë skuadrën e “Nikelit” në edicionin 2017/2018.

“Kemi biseduar dhe jemi pajtuar në parim me Sokolin që të bëhet trajner i skuadrës sonë. Janë edhe disa detaje të vogla për finalizimin e marrëveshjes, kurse deri në javën e ardhshme do ta kemi edhe trajnerin e ri”, ka deklaruar Elshani për ‘Epokën e Re’.