Drita shkruan historinë, fiton titullin e parë të Superkupës duke mposhtur Prishtinën në ‘Fadil Vokrri’

Skuadra e Dritës është fituese e Superkupës së Kosovës për vitin 2018.

Sport

13/08/2018 21:54

Kampionët e Kosovës kanë mposhtur 2:1 Prishtinën në finalen e Superkupës së Kosovës të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që hapi dyert për të parën herë pas rinovimit.

Kryeqytetasit e dominuan në tërësi pjesën e parë, duke provuar disa herë e duke qëlluar tri herë shtyllën.

Pas shumë tentative, skuadra e Mirel Josës zhbllokoi ndeshjen në minutën e 34’, me një gol të bukur të shënuar nga Mankenda.

Me rezultat 0-1 në të mirë të Prishtinës, përfundoi pjesa e parë.

Derisa pjesa  e parë solli spektakël në tribuna, nuk mund të thuhet edhe për të dytën, ku tifozët e Dritës, ‘Intelektualët’ ndërprenë ndeshjen për disa momente pas hedhjes në fushë të fishekzjarrëve, në një test shumë të rëndësishëm për Kosovën para syve të inspektorëve të UEFA-së.

Në minutën e 64’, Drita arriti të barazonte në 1:1, kur Fidan Gërbeshi realizoi nga penalltia.

Ky gol i bëri mirë Dritës që nisi të kërkonte edhe golin e përmbysjes së rezultatit.

Luhej minuta e 82’ kur një kundërsulm i nisur shpejtë nga lojtarët e Dritës, nxori para portierit sulmuesit Betim Haxhimusa, që nuk dështoi para Visar Bekajt për 2:1.

Ky është trofeu i parë i Superkupës në histori të klubit të Dritës, ndërsa Prishtina mbetet me nëntë të tillë./Lajmi.net/