Deschamps i del në mbrojtje Pogbas

Didier Deschamps, trajneri i kombëtares franceze, ka dalë në krah të lojtarit të tij Paul Pogba, duke e mbrojtur atë në polemikat që ka patur me trajnerin Jose Mourinho.

Sport

30/09/2018 17:45

Sipas trajnerit kampion bote mesfushori nuk është fajtor për paraqitjen jo të mirë të Manchester United në Premier League.

Deshamps beson te talenti i Pogba dhe te fakti se ai është një lider, por që duhet menaxhuar më mirë nga trajneri portugez. Ashtu sikurse bëri vetë trajneri francez në Kupën e Botës “Rusi 2018”, ku Pogba ishte lider në fushë për kombëtaren e “gjelave”.

“Më vjen keq që njerëzit kanë krijuar një imazh të keq për Paul, pasi ajo që thonë e shkruajnë nuk përputhet fare me të. Ai është pak euforik, por është një kampion, për këtë nuk ka diskutim. Zhurma që është krijuar rreth tij është qesharake, duhej menaxhuar më mirë. Pogba ka marrë shumë gjëra mbi vete, por nuk është faji i tij për këtë situatë.

Ai është një lider në fushë, por i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, ai ka nevojë për trajnerin dhe skuadrën, që ta mbështesin”, u shpreh Deschamps, duke i dalë në krah mesfushorit 26-vjeçar.