Conte mirëpret Italinë

Tani për tani është duke e udhëhequr me shumë sukses Juventusin, por Antonio Conte në të ardhmen mund të ngarkohet me një detyrë tjetër, atë të selektorit të Italisë.

Sport

21/12/2013 09:30

Antonio Conte është duke e udhëhequr me shumë sukses Juventusin. Ai ka fituar Scudetton në dy edicionet e kaluara, të parët për të në detyrë të skuadrës në të cilën u paraqit gjatë edhe si futbollist.

Ndërsa, këtë edicion është duke shkuar me hapa të sigurt drejt triumfit të tretë të njëpasnjëshëm. Mirëpo, e ardhmja e tij mund të parasheh një ndryshim.

Conte ka pranuar se në rast se do të ftohej nga Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) për të drejtuar Azzurrët, ai do ta pranonte sfidën.

“Po, do të ishte një sfidë e mirë. Si selektor duhet të bëni gjithçka në pak kohë, shpeshherë duke pasur vetëm dhjetë ditë për të përgatitur një skuadër, për të aplikuar idetë e juaja të futbollit. Detyrë shumë e vështirë, por në të ardhmen do të më pëlqente”, deklaroi Conte gjatë një interviste për magazinën e Juventusit, Hurra Juventus.