Cilat rregulla duhet ndjekur tifozët që janë pajisur me bileta për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit?

Sot (e martë) Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me atë të Azerbajxhanit në stadiumin Fadil Vokrri, në Prishtinë.

Sport

20/11/2018 12:00

Ndeshja mes Kosovës dhe Azerbajxhanit luhet me fillim nga ora 20:45.

Tashmë gjithë biletat janë shitur për këtë ndeshje.

Federata e Futbollit të Kosovës ka dal me njoftim publik për të gjithë ata që janë pajisur me bileta, duke iu shpjeguar rregullat që duhet ndjekur:

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton të gjithë qytetarët që janë pajisur me biletën online të ndeshjes Kosova-Azerbajxhani, se janë të obliguar që atë ta printojnë-shtypin (nuk ka rëndësi bardhezi apo me ngjyra, por printimi duhet të jetë i pastër).

Emri dhe mbiemri në biletë duhet të përputhet me të dhënat personale në letërnjoftim apo ndonjë dokument tjetër identifikimi (me fotografi) nga personi që hyn në stadium.

Çdo mbajtës i biletës duhet të ketë me vete një dokument identifikimi.

Për fëmijët nën moshën 16-vjeçare kërkohet prania e prindit apo kujdestarit përkatës, i cili duhet të jetë mbi moshën 18-vjeçe.

Gjatë hyrjes në stadium stafi përgjegjës për siguri mund të kërkojë nga shikuesit që të tregojnë një dokument identifikimi me qëllim të validitetit të biletës.

Nëse bileta është e dëmtuar hyrja në stadium nuk është e mundur.

Kini kujdes, mos e shpërndani biletën me barkod të dukshëm sepse rrezikoni që bileta juaj të përdoret nga persona të tjerë dhe më këtë rast hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur.

Me biletë hyrja në stadium i lejohet vetëm mbajtësit të saj dhe për një hyrje të vetme”, shkruan FFK./Lajmi.net/