Botërori i mallkuar

Theo Walcott është i brengosur se kurrë nuk do të luajë në një Kampionat botëror. Sipas tabloidit britanik Mirror, sulmuesi i Arsenalit dhe Anglisë është ankuar për këtë tek familja dhe miqtë e tij pasi mori lajmin e hidhur se do të mungojë për së paku gjashtë muaj për shkak të një lëndimi të rëndë…

Sport

07/01/2014 09:59

Theo Walcott është i brengosur se kurrë nuk do të luajë në një Kampionat botëror.

Sipas tabloidit britanik Mirror, sulmuesi i Arsenalit dhe Anglisë është ankuar për këtë tek familja dhe miqtë e tij pasi mori lajmin e hidhur se do të mungojë për së paku gjashtë muaj për shkak të një lëndimi të rëndë në gju.

Walcott ishte ftuar në ekip për garën e vitit 2006 në Gjermani por si 17-vjeç asnjëherë nuk u aktivizua në lojë kurse ish selektori i Anglisë, Fabio Capello i befasoi të gjithë duke mos e inkuadruar në skuadër për garën e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.

24-vjeçari shpresonte të paraqitet në Brazil, dhe e shihte këtë si mundësinë e tij të madhe, por tani ëndrra është shuar. Walcott do të jetë 29-vjeç në Kampionatin botëror në Rusi dhe brengoset se do të mbetet pa u paraqitur në garën më të madhe ndërkombëtare.

Ai sapo u rikthye nga një problem abdominal dhe ka realizuar pesë gola në pesë ndeshje që i kanë ndihmuar Arsenalit të ngjitet në pozitën e parë në Premierligë.