Arbeloa s’u ftua në Botëror, pensionohet

Alvaro Arbeloa ka vendosur të pensionohet nga Kombëtarja spanjolle. Mbrojtësi i Real Madridit nuk u ftua në mesin e 30 futbollistëve për Botëror, duke vendosur të tërhiqet përfundimisht nga ‘Stuhia e Kuqe’.

Sport

13/05/2014 19:09

Alvaro Arbeloa nuk është më pjesë e Kombëtares spanjolle. Mbrojtësi i djathtë i Real Madridit ka hequr dorë përfundimisht nga ‘Stuhia e Kuqe’, pasi nuk u përfshi në mesin e 30 futbollistëve të listës së Vicente del Bosques për Botërorin e Brazilit.

“Falënderoj të gjithë ata që më dërguan mesazhe mbështetëse. Po përfundon një etapë mjaft e mirë për mua. Spanjës ia uroj një tjetër yll në fanellë”, ka shkruar ish futbollisti i Liverpoolit në rrjetin social Twitter.

Arbeloa ishte pjesë e Spanjës në Botërorin 2010 dhe Evropianin 2012, duke e ndihmuar këtë ekip të shpallet kampion i botës dhe i Evropës.