Ajeti ëndërron të luajë për Barcelonën

Mbrojtësi shqiptar, Arlind Ajeti,ka treguar se te skuadra e re, Frosinone, shpreson të luajë sa më shumë ndeshje për të qenë i gatshëm për Evropianin 2016.

Sport

30/11/2015 09:01

Ai ka thënë se është pritur mirë në skuadër dhe se nuk e ka pasur problem të adaptohet në mesin e lojtarëve.

“Frosinone është skuadër e mirë në Serie A dhe shpresoj të kem sukses me klubin e ri. Këtu kam mundësi me zhvillu më shumë ndeshje dhe të jem gati për kombëtaren për Evropianin 2016”, ka thënë Ajeti në intervistën për ‘Kohavizionin’.

Ajeti ka thënë se po e ka pak problem gjuhën italiane, por është duke e mësuar. “Jam duke e mësuar gjuhën sepse këta nuk e flasin mirë anglishten. Edhe në kombëtare e kemi trajnerin italian dhe më duhet”, ka shtuar ai.

Në fund të intervistës, Ajeti shtoi se ëndërron që një ditë të luajë për Barcelonën.

“Barcelona është ëndrra ime. Rrugë e gjatë, por nuk është e pamundur. Do të luftoj për të realizuar ëndrrën time. Ndoshta dhe në fund realizohet. Por për momentin jam në Serie A dhe jam shumë i lumtur”, tha ai, transmeton Olle.

Ajeti u transferua te skuadra italiane gjatë javës së kaluar, gjashtë muaj pasi ishte larguar nga Baseli. Gjatë kësaj kohe ai ishte lojtar i lirë. Te Frosinone, Ajeti do të bartë fanellën me numrin 93.