A do të jetë ky trajneri i ri i Feronikelit?

“Radarët” e Feronikelit janë drejtuar edhe kah Shqipëria dhe mund të ndodhë lehtë që Klodian Duro të jetë trajneri i ri i ish-kampionëve të Kosovës.

Sport

20/03/2018 15:48

Skuadra nga Drenasi nga e hëna është pa trajner, pasi Ismet Munishi ofroi dorëheqjen të cilën ia pranoi kryetari i klubit, Naser Rama.

Megjithatë, zyrarët e lartë të klubit nga Drenasi janë vënë shpejt në lëvizje dhe tashmë kanë filluar bisedimet me disa trajnerë që mund ta zëvendësojnë Munishin.

“Radarët” e Feronikelit janë drejtuar edhe kah Shqipëria dhe mund të ndodhë lehtë që Klodian Duro të jetë trajneri i ri i ish-kampionëve të Kosovës.

Ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë në një prononcim për “Sport News” e pranoi se ka pasur kontakte me zyrtarët e klubit edhe pse asgjë ende nuk ka zyrtare.

Klodian Duro ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme si futbollist profesionist, duke luajtur edhe te shumë skuadra evropiane, derisa dhjetë vite ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.

Si trajner Klodian Duro debutoi te Kukësi kur firmosi një kontratë në nëntor të vitit 2015. Që në stinorin e tij të parë ai arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë, duke mundur Laçin me penallti në maj të vitit 2016.

Feronikeli në ndeshjen e fundit barazoi pa gola në udhëtim te skuadra e fundit në tabelë, Vllaznia e Pozharanit dhe ky ishte shkaku kryesor që Munishi ofroi dorëheqjen. Megjithatë Feronikeli është ende në garë për titull, pasi ka vetëm 6 pikë më pak se lideri Drita.

Nëse Klodian Duro konfirmohet si trajner i ri i Feronikelit, atëherë ai do t’i bashkohej Mirel Josës, Bledi Shkëmbit dhe Gugash Maganit, të cilët me mjaft sukses po punojnë në kampionatin kosovar të futbollit.