Ziv: Kosovarët që duan të largohen nga Izraeli mund të kalojnë nga Egjipti e Jordania
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka folur për situatën që po mbretëron në Izrael. Ajo e përshkroi gjendjen si të tensionuar, me shumë ankth, por tha se janë me shpresë që operacioni i tyre do të jetë i suksesshëm. “Si ta them, situata këtu është shumë e tensionuar, ka shumë ankth, por ne…

Lajme
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka folur për situatën që po mbretëron në Izrael. Ajo e përshkroi gjendjen si të tensionuar, me shumë ankth, por tha se janë me shpresë që operacioni i tyre do të jetë i suksesshëm.
“Si ta them, situata këtu është shumë e tensionuar, ka shumë ankth, por ne mbetemi me shpresë që qëllimi për të cilin e kemi filluar këtë operacion ndaj Iranit do të jetë i suksesshëm dhe do të na ndihmojë të eliminojmë kërcënimin ekzistencial që Irani ka vënë kundër nesh për dhjetëra vite me radhë. Irani ka krijuar kapacitete goxha të fuqishme bërthamore, ka kapacitetin për të ndërtuar rreth 9 armë me potencial bërthamor. Një e treta janë krijuar gjatë këtyre tre muajve. Derisa iranianët kanë qenë në negociata, në fakt kanë negociuar aq sa kanë përshpejtuar prodhimin e armëve bërthamore”, tha Ziv në televizionin publik në RTK.
Ajo tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadoren e Kosovës në Izrael dhe se ka komunikuar edhe personalisht me shumë kosovarë që jetojnë atje.
Ziv tha se kosovarët që duan të largohen nga Izraeli në këtë periudhë mund ta bëjnë këtë duke kaluar përmes Egjiptit dhe Jordanisë.
“Kam lidhje shumë të afërt me shefen e misionit të Kosovës në Izrael, por edhe me qytetarë të tjerë kosovarë që banojnë në Izrael. Me disa kam biseduar edhe vetë dhe më duhet të them që ata që kam kontaktuar janë në disponim shumë të mirë. Janë me qëndrim në Izrael dhe si gjithë të tjerët i dëgjojnë udhëzimet e forcave të sigurisë dhe komandës, që na thonë ku të qëndrojmë e ku të shkojmë. Ata që dëshirojnë të largohen janë në kontakt me Ambasadën e Kosovës, e cila u ofron të gjitha informatat dhe opsionet. Nëse vendosin të largohen nga Izraeli, mund të kalojnë përmes Egjiptit dhe Jordanisë”, tha ambasadorja izraelite.
Ziv shtoi se Izraeli nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveç fillimit të këtij sulmi ndaj Iranit.
“Irani ka një industri të avancuar të raketave, të cilat kanë për qëllim bartjen e eksplozivëve dhe armëve bërthamore deri në territorin e Izraelit. Më duhet të them që kapaciteti raketor iranian nuk është 1,500 kilometra, që është distanca mes Izraelit dhe Iranit. Distanca që këto raketa mund të përshkojnë është 4,000 kilometra, që do të thotë se mund të shtrihen deri në territorin e Evropës. Të gjithë duhet të pyesim: pse regjimi iranian ka krijuar këtë lloj kapaciteti?”, tha ajo.
Ndërsa, gjatë ditës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani bënë të ditur se pesë qytetarët shqiptarë që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri.
Ai sqaroi se largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga MEPJ, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli nisi sulme ajrore të koordinuara në shumë vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet me raketa iraniane që nga e premtja.
Irani, nga ana e tij, tha se të paktën 224 persona janë vrarë dhe mbi 1,000 të tjerë janë plagosur në sulmin izraelit.