Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut nesër: 16 kandidatë luftojnë për postin e kryetarit në Shkup

Të shtunën, më 19 tetor 2025, qytetarët e Maqedonisë së Veriut u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj lokalë në zgjedhjet e teta komunale që nga shpallja e pavarësisë. Votimi do të zhvillohet në të 80 komunat e vendit, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, ku do të zgjidhen kryetarët e komunave…

Lajme

18/10/2025 22:27

Të shtunën, më 19 tetor 2025, qytetarët e Maqedonisë së Veriut u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj lokalë në zgjedhjet e teta komunale që nga shpallja e pavarësisë. Votimi do të zhvillohet në të 80 komunat e vendit, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, ku do të zgjidhen kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë.

Të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 ndodhen brenda vendit. Procesi do të zhvillohet në 3.474 qendra votimi aktive, transmeton lajmi.net.

Gara më e paparashikueshme në komunat shqiptare

Ndërsa në komunat me shumicë maqedonase rezultati pritet të jetë më i lehtë për t’u parashikuar, beteja zgjedhore mbetet e hapur dhe e paqartë në disa komuna shqiptare, ku pritet konkurrencë e fortë ndërmjet subjekteve politike shqiptare.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për këshilltarë komunalë, me gjithsej rreth 10.490 kandidatë. Në garë janë të përfshira 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatë të pavarur.

Rekordi në Shkup: 16 kandidatë për kryetar

Qyteti i Shkupit ka jo vetëm numrin më të madh të votuesve të regjistruar – 474.304, por edhe numrin më të madh të kandidatëve për kryetar komune – 16 në total. Komunat e tjera me elektoratin më të madh janë:

  • Kumanova – 94.041 votues

  • Tetova – 87.878 votues

  • Gostivari – 82.893 votues

  • Manastiri – 77.253 votues

Në të kundërt, komunat më të vogla për nga numri i votuesve janë:

  • Lozova – 1.905 votues

  • Vevçani – 2.092 votues

  • Novaci – 2.429 votues

Qendra më e madhe e votimit ndodhet në lagjen Butel të Shkupit, me 1.432 votues të regjistruar.

Kush tjetër ka të drejtë vote?

Përveç qytetarëve në listat e rregullta, të drejtën për të votuar e kanë edhe:

  • 2.162 persona në burgje ose paraburgim

  • 450 qytetarë që banojnë në shtëpitë e të moshuarve

Nuk do të organizohet votim në diasporë, por qytetarët që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë nëse kthehen në Maqedoni në ditën e votimit.

Këto janë zgjedhjet e katërta lokale të përgjithshme që zhvillohen në të gjitha njësitë administrative në të njëjtën kohë. Procesi i votimit pritet të nisë në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës./lajmi.net/