Wilder ‘frikësohet’ nga Fury, shtyn meçin me Ortiz

Revanshi mes kampionit të botës në peshën e rëndë, amerikanit Deontay Wilder dhe kubanezit Luis Ortiz do të zhvillohet më në nëntor.

Sport

17/07/2019 12:58

Kjo sfidë ishte planifikuar të zhvillohej më 28 shtator, por duket se është vendosur që ajo të shtyhet me dy muaj. Një lëvizje strategjike kjo e kampionit të botës në kategorinë WBC, për të evituar një tjetër revansh, atë të 22 shkurtit ndaj Tyson Fury.

Duket se Wilder synon të duelojë në pranverën e 2020-ës ndaj fituesit që do të dalë nga dueli mes Andy Ruiz Jr dhe Anthony Joshua. Shpresa e amerikanit është unifikimi i titujve kampionë bote në peshën e rëndë, objektiv që ai nuk e ka mohuar kurrë.

Wilder dhe Ortiz janë përballur edhe më parë, në mars të 2018-ës dhe kampioni i botës asokohe fitoi me “KO teknik” në raundin e 10-të. Gjithsesi, zyrtarizimi i këtij ndryshimi të programit pritet të zyrtarizohet ditët në vijim.

Tashmë situata në peshën e rëndë bëhet gjithnjë e më interesante, me shumë boksierë protagonistë që dalin në skenë. /Lajmi.net/