Vuçiqi pas takimit me Sorensenin: BE të rrisë angazhimin – Asociacioni është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, u takua sot në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në vizitën e parë të tij në Serbi që nga marrja e detyrës. Në një njoftim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiqi tha se zyrtarit evropian i ka folur për procesin e dialogut të Brukselit dhe formimin…

Lajme

25/03/2025 12:15

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, u takua sot në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në vizitën e parë të tij në Serbi që nga marrja e detyrës.

Në një njoftim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiqi tha se zyrtarit evropian i ka folur për procesin e dialogut të Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, Asociacioni është “një parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”.

“Theksova pritshmërinë se BE-ja do të rrisë angazhimin e saj dhe do të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces. Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet e kompromisit mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiqi.

Vizita e Sorensenit në Serbi vjen pas asaj të javës së kaluar në Kosovë ku pati takime me krerë të lartë të shtetit.