Vrasja e policit Muhamet Lika, çka thanë në Polici të dyshuarit?

Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Diamant Gashi, Rejhan Bela nuk kanë pranuar se kanë kryer vrasjen e rreshterit policor, Muhamet Lika në Kaçanik. Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, tregohet se çka thanë të dyshuarit pas arrestimit në Polici. I dyshuari kryesor, Rejhan Bela ka mohuar të ketë gisht…

Lajme

12/01/2026 23:03

Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Diamant Gashi, Rejhan Bela nuk kanë pranuar se kanë kryer vrasjen e rreshterit policor, Muhamet Lika në Kaçanik.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, tregohet se çka thanë të dyshuarit pas arrestimit në Polici.

I dyshuari kryesor, Rejhan Bela ka mohuar të ketë gisht në vrasje, duke treguar se një ditë më parë e kishin ndaluar dy zyrtarë policorë dhe i kishin thënë “eja këtu” dhe “a i ke kry lëndët në Polici”.

“I mituri kishte arritur të largohet me shpejtësi  dhe gjatë ikjes i kishte rënë telefoni në tokë të cilin e kishte pasur në xhep po ashtu e pranon se më pas në stacion policorë kishte shkuar prindi i tij për ta kërkuar telefonin e që nuk ia kishte dhënë pasi që i kishin thënë duhet të paraqitet vetë i mituri e pranon se i njeh të pandehurit Rilind Murati, Vatan Qaka, Shkelqim Kuka, Edmond Lika ndërsa e mohon se e ka vrarë tani të njërin Muhamet Lika”, thuhet në njoftimin e Prokuroris Themelore në Ferizaj.

E vëllau i Rejhanit, Hakiu thotë se viktimën e kishte njohur si gjithë policët tjerë dhe se natën kritike kishte qenë në lokalin e tij, ku thotë se ditë më parë aty kishte qenë Lika për të blerë vaj të farës së zezë.

“Atë natë, para orës 23:00 kishte dalë nga shtëpia e tij dhe kishte shkuar në drejtim të lokalit, ku kishte vërejtur dy vetura të policisë dhe tek banesat ku kishte ndodhur vrasja ishte afruar për të shikuar se çfarë po ndodh ku aty kishte qenë bashkë me Xh.Ç, E.R, K.B dhe kishin komunikuar me policin A.M dhe ishin njoftuar se është vrarë një polic…Po ashtu në momentin që kishte dalë nga shtëpia para orës 23:00, Rejhanin e kishte lënë në shtëpi, e po ashtu pas orës 23:30 kur ishte kthyer në shtëpi përsëri Rejhani sipas tij e kishte gjetur në shtëpi, i njëjti deklaron se Rejhani ka qenë në kërkim policor për një rast të dhunimit, sipas tij kinse është i pafajshëm ndërsa për vrasjen e policit Muhamet Lika”, thuhet tutje në njoftim.

E Rilind Murati ka thënë se natën kritike nga ora 22:00 deri në orën 03:00 kishte qenë me shoqen e tij duke lëvizur në këmbë dhe nuk kishte vërejtur asgjë.

“Ndërsa në momentin e kthimit në shtëpi në orën 03:00, nëna e tij e kishte pyetur ‘ku je deri tash në këtë kohë sepse kishte ndodhur vrasja e policit’, ku sipas tij kinse natën kritike ka pasur të veshur një jakne të hollë me kapele, me mbishkrimin ‘Nike’, dhe një palë pantallona ngjyrë të zezë me xhepa si dhe patika të firmës ‘Addidas’, ngjyrë e bardhë, gjatë prezantimit të fotografisë i njëjti ka identifikuar se është Vatan Çaka në të djathtë, ndërsa dy të tjerët nuk e din, ndërsa e mohon se është i përfshirë në vrasjen e policit, e po ashtu e mohon se natën kritike e ka takuar Rejhanin, e këtë të fundit e njeh vetëm përmes vëllait të tij Haki Belës dhe janë njoftuar në Xhami”, thuhet në njoftim.

Edhe Vatan Çaka ka mohuar të jetë i përfshirë në rast, duke thënë se i njeh të akuzuarit tjerë dhe se janë pjesë e një shoqërie që quhet “Rinia Islame e Kaçanikut”, por që nuk ka qëndruar me Belën më shumë se një javë.

Kurse Edmond Lika hetuesve iu ka thënë se ish-rreshterin e njeh nga viti 2021 dhe kishin një raport normal me të.

“Atë ditë para se të dëgjoj për vrasjen  e Muhametit, kishte qenë me veturën e tipit Opel Astra karavan, ngjyrë e bardhë, pronë e Shkëlqim Kukës ku në atë moment kishin qenë duke biseduar dhe vetura kishte qenë e parkuar përballë komunës, ndërsa veturën e tipit Golf 2, pronë e prindit të tij kishte qenë e parkuar në afërsi të vendit ku kishin qenë duke qëndruar dhe gjatë kohës sa kishin qenë duke qëndruar aty e pranon se kishte vërejtur Muhametin duke kaluar në afërsi të vendit dhe pas tre minutash që kishte kaluar Muhameti, kishte hipur në veturë Golf 2 dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa ka shtuar se një akuzë kinse sipas tij ‘Allahu ja u dhashtë hakun krejtëve ashtu siç ma kanë bërë mua’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Derisa Diamant Gashi shton se për vrasjen e Likës kishte dëgjuar të nesërmen nga prindi i tij.

“E pranon se ditën e Premte, tek Xhamia Sinan Pasha në Kaçanik, pasi që atë ditë del zakonisht, por sipas tij nuk ka dëgjuar që është diskutuar lidhur me këtë vrasje dhe gjatë gjithë kohës është i lidhur me punë dhe ritet fetare në Xhami, e pranon se është takuar me Haki Belën, Edmond Likën, Rilind Muratin tek Xhamia, mirëpo gjatë atij takimi nuk është diskutuar asgjë”, ka përfunduar Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, të gjithë të dyshuarit duke parë se gjenden para një numri të madh të provave të pakontestueshme dhe kanë lidhshmëri reciproke mes vete, kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje./teve1