Votimi në KS të OKB-së, skenar i keq për Kosovën

Nëse Kuvendi i Kosovës dështon që të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale dhe kjo qështje bëhet temë dhe votohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kjo sipas analistëve politik do të thotë një skenar i keq për Kosovën. 

Lajme

21/04/2014 09:40

Njohës të çështjeve politike dhe juridike thonë se Kuvendi i Kosovës duhet të votoj pro themelimit të Gjykatës Speciale. Në të kundërtën, ata mendojnë se nëse kjo çështje kalon nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të mund të dëmtohej imazhi i vendit.

Fisnik Korencia nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike thotë për Kosova Sot se themelimi i kësaj gjykate nga OKB-ja është një skenar i keq për Kosovën.

“Mendoj që nëse ky Tribunal do të themelohej nga ana e OKB-së, kjo do të përbënte një skenar shumë të keq për imazhin e Kosovës dhe do ta shndërronte Tribunalin në një rast studimor që do të mbetej i lidhur për historinë më të re të Kosovës”.

Ndërkaq, analisti politik Nexhmedin Spahiu thotë se nëse kjo gjykatë themelohet nga OKB, atëherë nuk do të hetoheshim më individët e dyshuar për krime të pretenduara, por do të trajtohej i gjithë shteti i Kosovës.

“Dallimi është thelbësor. Nëse e voton Parlamenti i Kosovës, kemi të bëjmë me trajtimin e individëve të dyshuar për krime të pretenduara, por nëse e vendos KS i OKB-së kemi të bëjmë me trajtimin e një shteti që drejtohet nga njerëz të inkriminuar. Kjo e dyta do të linde pasoja të paparashikueshme për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, Parlamenti i Kosovës duhet ta votojë”.

Spahiu është i mendimit se Lëvizja Vetëvendosje po është kundër themelimit të Gjykatës Speciale, me qëllim të “përfitimit” të aktivistëve të PDK-së dhe AAK-së.

“Nëse Vetëvendosje vërtetë e bën për këtë qëllim, atëherë kjo është e pandershme nga ana e saj, sepse i bije që për një interes partiak po i dëmtojnë interesat e Kosovës. E, interesi i Kosovës, natyrisht është që Tribunali të mos jetë temë e KS të OKB-së”, ka thënë për Kosova Sot, Nexhmedin Spahiu.