Udhëtimet zyrtare me avion i kushtojnë shtetit afro 400 mijë euro, finalizohet kontrata e Ministrisë së Sportit
Ministria e Sportit dhe Rinisë ka lidhur një kontratë në vlerë prej 399 mijë e 741 euro e 26 centë për furnizim me bileta avioni, në kuadër të nevojave të institucionit për transport ajror. Kontrata është fituar nga kompania AS TRAVEL CLUB SH.P.K. me seli në Prishtinë, e cila do të ofrojë shërbimet e transportit…
Lajme
Ministria e Sportit dhe Rinisë ka lidhur një kontratë në vlerë prej 399 mijë e 741 euro e 26 centë për furnizim me bileta avioni, në kuadër të nevojave të institucionit për transport ajror.
Kontrata është fituar nga kompania AS TRAVEL CLUB SH.P.K. me seli në Prishtinë, e cila do të ofrojë shërbimet e transportit ajror për ministrinë, shkruan lajmi.net.
Procedura e prokurimit kishte nisur më 18 qershor të këtij viti, ndërsa njoftimi për tender ishte publikuar një ditë më vonë. Hapja e ofertave është zhvilluar më 6 korrik, ndërsa kontrata është nënshkruar më 16 korrik 2026, pas përfundimit të procesit të vlerësimit.
Në garë për këtë tender kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, të cilët kanë dorëzuar oferta të përgjegjshme. Pas shqyrtimit të tyre, kontrata për shërbimet e transportit ajror është dhënë në vlerën prej afro 400 mijë euro.
Sipas të dhënave të publikuara në sistemin e prokurimit publik, kontrata i përket grupit “Shërbime të transportit ajror – Avio bileta” dhe nuk parasheh angazhimin e nënkontraktorëve.
Vlera e kontratës arrin në 399 mijë e 741 euro e 26 centë, duke e bërë atë një nga kontratat me vlerë më të lartë të lidhura së fundmi nga Ministria e Sportit dhe Rinisë për shërbime të udhëtimit ajror.
Ndërkohë, kjo procedurë prokurimi ishte pezulluar përkohësisht para finalizimit të kontratës, pas një kërkese për rishqyrtim të paraqitur nga një operator ekonomik.
Më 25 qershor 2026, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë kishte pezulluar aktivitetin “005 – Shërbime të transportit Ajror – Avio Bileta”, me numër të prokurimit 225-26-4848-2-1-1, deri në shqyrtimin e ankesës së operatorit ekonomik “Albasky L.L.C.”.
Ky operator kishte kundërshtuar disa nga kriteret e kualifikimit të vendosura në dosjen e tenderit, duke kërkuar rishqyrtimin e tyre.
Në vendimin përfundimtar, Zyra e Prokurimit e kishte miratuar pjesërisht kërkesën e operatorit ekonomik dhe kishte urdhëruar korrigjimin e dokumentacionit të tenderit përmes formularit standard për korrigjimin e gabimeve.
Ndryshimet kishin të bënin kryesisht me kriteret për licencat dhe stafin profesional. Kështu, kriteri që kërkonte licencë valide nga IATA për vitin 2026 ishte zgjeruar duke lejuar edhe licenca ose certifikata ekuivalente të lëshuara nga organizata të tjera ndërkombëtare.
Po ashtu, ishte ndryshuar edhe kriteri për stafin profesional, ku fillimisht kërkohej që operatori ekonomik të kishte së paku një punonjës të trajnuar nga IATA me gjashtë muaj përvojë pune, ndërsa pas rishqyrtimit u pranuan edhe trajnimet nga organizata të tjera ekuivalente ndërkombëtare.
Në arsyetimin e vendimit thuhej se kriteret duhej të harmonizoheshin me legjislacionin në fuqi, me qëllim sigurimin e një procesi më konkurrues dhe jodiskriminues.
Pas përfundimit të këtyre ndryshimeve dhe procedurave të nevojshme, tenderi vazhdoi procesin e vlerësimit dhe përfundimisht kontrata iu dha kompanisë AS TRAVEL CLUB SH.P.K. me vlerë prej afro 400 mijë euro. /Lajmi.net/
