Veterani Gashi: Specialja u themelua ekstra për UÇK-në, secili mund të jemi target i saj

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Gashi, ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se kjo gjykatë, sipas tij, është krijuar posaçërisht për të gjykuar pjesëtarët e UÇK-së. Gashi deklaroi se, sipas tij, “secili mund të jetë target i kësaj gjykate”, ndërsa e cilësoi atë si “gjykatë të Serbisë…

Lajme

28/09/2026 08:20

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Gashi, ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se kjo gjykatë, sipas tij, është krijuar posaçërisht për të gjykuar pjesëtarët e UÇK-së.

Gashi deklaroi se, sipas tij, “secili mund të jetë target i kësaj gjykate”, ndërsa e cilësoi atë si “gjykatë të Serbisë dhe Rusisë”.

“Kjo gjykatë është themeluar ekstra për UÇK-në, sepse kjo nuk po i gjykon serbët. Secili mund të jetë target i kësaj gjykate, që unë e quaj gjykatë të Serbisë dhe Rusisë”, tha Gashi.

Ai kritikoi gjithashtu dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke vënë në pikëpyetje, siç tha, arsyen e gjykimit të tyre dekada pas përfundimit të luftës.“Kanë investuar miliona Rusia-Serbia që të dënohen krerët e UÇK-së. Dënohen me 25 vjet pas 27 vitesh që u kry lufta, për çka? Që ke luftu për vendin tënd”, u shpreh ai.

Gashi tha se vëmendja e drejtësisë ndërkombëtare nuk duhet të kufizohet vetëm te pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, duke kërkuar trajtim të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Me krimet serbe nuk merret askush, me masakrat në Kosovë, me gjenocidin që e ka bërë Millosheviqi, merren me do djem që e kanë formuar një ushtri guerile, që i kanë dalë zot vendit të vet. Kjo është shumë e padrejtë”, deklaroi veterani i UÇK-së.