28 Nëntori mes kujtimeve të minatorëve të Trepçës, kur flamuri ruhej në fshehtësi
Nga festimet në thellësitë e minierës së Trepçës deri te organizimet në fshehtësi në veri të Mitrovicës, 28 Nëntori dikur shënohej mes frikës, represionit dhe rrezikut të burgosjes. Ish-minatorët dhe ish-luftëtarët e UÇK-së nga Mitrovica rrëfejnë për KosovaPress se si, pavarësisht ndalimeve dhe përndjekjeve, arritën ta ruajnë flamurin kombëtar dhe traditën e festimit të 28…
Lajme
Nga festimet në thellësitë e minierës së Trepçës deri te organizimet në fshehtësi në veri të Mitrovicës, 28 Nëntori dikur shënohej mes frikës, represionit dhe rrezikut të burgosjes.
Ish-minatorët dhe ish-luftëtarët e UÇK-së nga Mitrovica rrëfejnë për KosovaPress se si, pavarësisht ndalimeve dhe përndjekjeve, arritën ta ruajnë flamurin kombëtar dhe traditën e festimit të 28 Nëntorit, festë që sot e shënojnë lirshëm.
Përpjekjet për ta mbajtur gjallë këtë simbol dhe për ta shënuar Ditën e Flamurit, pavarësisht pengesave dhe rrezikut, i kujton edhe ish-minatori Rexhep Rrahmoni. Ai rrëfen se si flamuri vendosej nëpër shtëpi, por hiqej nga policia.
“Unë, si minator, këto i kam parë vetë me sytë e mi. Atëherë nuk kanë guxuar ta vendosin flamurin lirshëm, por e kanë mbajtur të fshehur. Më kujtohet Halil Kqiqi, kur e ngrinte flamurin në shtëpinë e vet. E vendoste, shkonte policia dhe ia largonte, por ai prapë e vendoste. Gjithmonë e ka festuar ashtu. Pastaj, Fazli Grajqefcit ia kanë nxjerrë shpirtin, duke i dhënë qumësht, duke e rrahur e torturuar, derisa e kanë mbytur. Sot duhet të jemi të kënaqur që këtë ditë e festojmë lirshëm, me të gjitha të mirat“- tha Rrahmoni
Për Rrahmonin, 28 Nëntori ishte festë që minatorët e mbanin në zemër, edhe në kohën kur nuk mund ta shënonin publikisht. Ai kujton se gjatë pushimeve, festimet vazhdonin edhe brenda minierës së Trepçës, në horizontin e nëntë.
“Gjithmonë në zemër e kemi pasur ne minatorët atë festë. Kur ka ardhur Dita e Flamurit, të gjithë kemi qenë të kënaqur, të gëzuar për atë festë, por nuk kemi guxuar ta festojmë lirshëm, sikur sot që e festojmë. Atëherë ka qenë shumë ndryshe, nuk të ka lënë shkau as sytë t’i çelësh, duke na torturuar, rrahur e burgosur. Ndryshe ka qenë atëherë e ndryshe sot. Po vallah, kur kishim pushim, kemi kënduar dhe kemi festuar në horizontin e nëntë, të gjithë deri në pikën e fundit. Por atje kemi festuar lirshëm, sepse atje nuk ka mundur askush të na pengojë“- tregoi minatori
Përjetimet e asaj kohe i kujton edhe ish-minatori dhe ish-i burgosuri politik, Rrahmon Beqiri. Ai thotë se pas Kushtetutës së vitit 1974, situata ishte bërë disi më e lehtë për shënimin e festës, por flamuri vazhdonte të vendosej kryesisht nëpër shtëpi dhe në vende ku nuk binte në sy.
“Festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit Kombëtar, unë e mbaj mend me një situatë pak më të butë, sepse pas Kushtetutës së vitit 1974 ishte liruar pak dhe më lirshëm ka qenë të festohej. Megjithatë, festë nuk kemi mundur të bëjmë as në mesin e minatorëve. Individualisht, ndonjë flamur e kemi vendosur nëpër shtëpi, në disa vise rurale ku nuk binte në sy. Në atë mënyrë jemi munduar ta festojmë, ashtu siç kemi mundur, fshehurazi”- ka rrëfyer Beqiri
Një prej kujtimeve që Beqiri e veçon është edhe flamuri që familja e tij e kishte ruajtur për shumë vite në fshehtësi. Si fëmijë, thotë se e shpalosnin herë pas here për ta parë, ndërsa deri në kohën e luftës e kishin ruajtur me kujdes.
“Unë si i ri më kujtohet një kushëri i parë i gjyshit tim, kur e ka sjellë flamurin. Ku e ka blerë dhe ku e ka marrë në Shqipëri, dikund, shokët e tij ia kanë pru. Në atë kohë, për shumë gjatë e ka mbajtur në dry. E kemi shpalosur ndonjëherë, e kemi shikuar, si fëmijë që kemi qenë. Kështu që deri në luftë e kemi ruajtur atë flamur me fanatizëm. Në luftë është zhdukur dikund, nuk kemi mundur ta gjejmë. Ka qenë flamur origjinal, që me pare me pagu me pasë sot atë flamur me valëvitur dikund”, ka thënë Beqiri.
Pavarësisht pamundësisë për ta festuar publikisht, Beqiri tregon se minatorët e shënonin këtë ditë edhe përmes këngëve patriotike brenda minierës së Trepçës.
“Brenda horizonteve të minierës festohej me këngë rapsodike. Shpeshherë e kemi kënduar këngën e rapsodit Ibish Broja: ‘O flamur kuq e zi, që sa vite të kemi mbajtur në dry’, e kështu me radhë, këngë që u përkasin zhanreve të rapsodëve të vjetër”, ka rrëfyer ai.
Beqiri, i cili ishte edhe i burgosur politik, kujton se për shkak të qëndrimit të tyre pas grevës së minatorëve, ai dhe disa bashkëpunëtorë të tij ishin dënuar me nga 60 ditë burg. Ai thotë se më vonë ishte dërguar për ta vuajtur dënimin, ndërsa përvojën e burgosjes e lidh me periudhën kur, sipas tij, shqiptarët përballeshin me represion për qëndrimin e tyre.
Dallimin mes asaj kohe dhe të sotmes, Beqiri e përshkruan përmes mundësisë që qytetarët sot ta festojnë lirshëm 28 Nëntorin.
“Si i burgosur politik, vetëm e kemi ditur si datë. Sot festohet lirshëm, edhe mirë e lirë, kah duash me shku. E në ato kohëra ka qenë pak më ndryshe. Ne jemi gjeneratë që e kemi vuajtur në Kosovë. Shiko, lufta ka qenë dy vjet, na kemi luftuar prej vitit 1981 deri në luftën e fundit”, ka thënë ai.
Ndërsa festimet në veri të Kosovës gjatë viteve ’90 shpesh bëheshin në mënyrë të fshehtë, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skender Sadiku, kujton se si kishin gjetur mënyra për ta shënuar 28 Nëntorin, edhe kur festimi publik mund t’u sillte probleme me policinë.
“Ndër vite mbaj mend që fshehurazi është festuar jo vetëm në veri. Sidomos në veri kemi pasur faza kur është dashur që në mënyrë të fshehtë të festojmë, qoftë pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e Skënderbeut, por edhe flamurin, kur nuk kemi mundur ta kemi si flamur. Historikisht e mbaj mend që edhe flamuri në Kosovë është krijuar me yll, edhe Shqipëria ka qenë me yll, nuk ka qenë ky flamuri që historikisht e kemi. Ndoshta është një kuriozitet interesant se në vitet e ’90-ta, kur ka qenë okupimi më i egër në kohën e Sllobodan Millosheviqit, ne kemi qenë kreativë në festimin e 28 Nëntorit. Pikërisht në pjesën veriore, në një kafiteri kemi bërë muzikë, kemi mbledhur shoqëri dhe ka ardhur policia duke nxjerrë telashe. Ne kemi qenë kreativë, e kemi festuar. Kanë ardhur, na kanë thënë: ‘A po e festoni 28 Nëntorin?’, ndërsa ne kemi thënë se po festonim ditëlindjen e një shoqes sonë, e cila e kishte ditëlindjen më 28 Nëntor”-tregoi ai
Sadiku thotë se 28 Nëntori për të dhe bashkëluftëtarët e tij kishte edhe një domethënie tjetër, pasi në të njëjtën datë lidhen disa ngjarje me rëndësi kombëtare, përfshirë festën e flamurit dhe daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, edhe pas vitit 1999, festimi publik i kësaj feste në veri vazhdonte të kishte vështirësi. Ai veçon kullën e Isa Boletinit si vend ku ishte ruajtur tradita e valëvitjes së flamurit kuq e zi.
“Kur flasim për kohën kur pjesa më e madhe e Kosovës është çliruar në vitin 1999, sfidat dhe problemet në pjesën veriore kanë qenë të natyrës tjetër. Përveç flamurit kuq e zi, ka qenë problem që të valëvitej edhe flamuri i Kosovës. Festa është bërë në familje, në vende publike jo. Megjithatë, pa ndërprerje, në fakt në kullën e Isa Boletinit, ne jemi mbledhur dhe ka valëvitur flamuri në veri. Gjithnjë flamuri kuq e zi ka valëvitur në kullën e Isa Boletinit”, thotë ai.
Sadiku u bën thirrje gjeneratave të reja që ta festojnë 28 Nëntorin me dinjitet dhe të mos harrojnë vështirësitë me të cilat janë përballur brezat e mëparshëm për ta ngritur flamurin.
“Të festojnë me dinjitet, të dinë nga këto tregime se në një kohë ka qenë vështirë të ngritësh flamurin. Mund të imagjinosh se ka pasur gjenerata që janë burgosur për flamurin, jo për ndonjë veprimtari tjetër. Ka qenë i ndaluar, ka qenë simbol. 28 Nëntori është edhe i UÇK-së. Të jenë krenarë dhe ta festojnë”, përfundon Sadiku.
Rrëfimet e tyre dëshmojnë se 28 Nëntori nuk ishte vetëm një datë feste, por edhe një simbol që shqiptarët refuzuan ta harronin, pavarësisht rreziqeve dhe pengesave. Për brezat që e përjetuan atë kohë, liria për ta festuar sot këtë ditë mbetet një nga dallimet më të mëdha mes së kaluarës dhe së tashmes.